Shkëlqim Hoxha, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet e vitit 2023 për Bashkinë e Rrogozhinës, është dënuar nga Gjykata e Posaçme me 6 muaj burg për blerje votash. Bashkë me të, e kanë pësuar dhe disa persona të tjerë.
Vendimi për Hoxhën është pezulluar dhe është konvertuar në shërbim prove, me punë në komunitet.
Fajtorë janë shpallur edhe shtetasit Limon Shala, Fatmir Thaçi, Florant Saraçi dhe Engjell Cara, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim dhe në më shumë se një rast, bazuar në nenet 328, 25 dhe 50/h të Kodit Penal.
Ata janë akuzuar nga SPAK se kanë ofruar dhe siguruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm në të paktën 64 raste, me qëllim që ata të merrnin pjesë në votime dhe të votonin në favor të kandidatit Shkëlqim Hoxha.
SPAK thekson se vetë Hoxha ka qenë në dijeni të kësaj skeme, duke ditur që Fatmir Thaçi dhe Limon Shala ishin të përfshirë drejtpërdrejt në ofrimin e biletave për votuesit, por nuk e ka kallëzuar veprimtarinë tek autoritetet, duke shkelur ligjin.
Hetimi ka nisur mbi bazën e referimeve nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, që sinjalizuan shkelje të mundshme gjatë procesit zgjedhor të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë



