“Bujar Leskaj është burrë, pastaj është politikan. I ka lezet fjala dhe kuvendi, dhe qofshin të gjithë të djathtët si ky djalë Labërie!”, shkruan Luca në postimin shoqërues të videos, duke e vendosur theksin te virtytet njerëzore përpara etiketimeve politike.
Në videon e publikuar, Luca shprehet edhe më i prerë: “Në qoftë se ka demokratë, sigurisht pas meje, është ky burrë. Dëgjojeni, sepse është burrë trim dhe i vërtetë, dhe e do Partinë Demokratike më shumë se gjithë.”
Një deklaratë që synon të nënvizojë besnikërinë ndaj bindjes, por edhe autenticitetin personal, si cilësi gjithnjë e më të rralla në një skenë politike të konsumuar nga retorika boshe.
Nga ana e tij, Bujar Leskaj nuk ka ngurruar t’i kthejë vlerësimin Gjergj Lucës, duke e cilësuar atë si “artist i madh i artistëve të mëdhenj”, trashëgimtar të një emri të nderuar në artin shqiptar, duke përmendur me respekt figurat e mëdha të Ndrekë dhe Mimika Lucës.
Ky shkëmbim fjalësh dhe vlerësimesh, përtej momentit mediatik, sjell në vëmendje një dimension të rrallë të diskursit publik: njohjen e meritës dhe karakterit përtej vijave ndarëse politike, duke rikthyer për një çast idenë se fjala e mirë dhe respekti nuk kanë nevojë për ngjyrë partiake.



