Gazeta amerikane THE NEW YORK TIMES rekomandon: „Qeveritë perëndimore duhet të nisin një planifikim serioz politik për mundësinë e një ndryshimi në Iran. Ekzistojnë skenarë të shumtë që mund të ndodhin. Një mundësi është një qeveri kalimtare e udhëhequr nga një figurë e shoqërisë civile, e cila do të kishte detyrën të krijonte një sistem demokratik dhe të hapte rrugën për zgjedhje. Shqetësuese do të ishte nëse një figurë nga radhët e Gardës Revolucionare Islamike do të merrte kontrollin, për të ruajtur sistemin ekzistues nën një fasadë të re. Pas revolucionit iranian të vitit 1979, ambasadori i atëhershëm britanik në Teheran, Anthony Parsons, vuri re: ‘Duke shikuar në retrospektivë, gjykimi im është se dështimi ynë nuk erdhi aq nga mungesa e informacionit, sesa nga mungesa e imagjinatës.’ Uashingtoni dhe aleatët e tij perëndimorë nuk duhet ta përsërisin më këtë gabim”, paralajmëron THE NEW YORK TIMES.
Gazeta franceze LE FIGARO konstaton: „Që nga viti 1999, regjimi i mullahëve në Teheran është mbajtur në pushtet katër herë duke e larë në gjak zemërimin e iranianëve. A do të përfundojë vala e re e protestave në të njëjtën mënyrë – me zi dhe dëshpërim?“ Duke iu referuar udhëheqësit shpirtëror, LE FIGARO vazhdon: „Ajatollahu Hamenei zgjedh përsëri shtypjen brutale, gjë që konfirmon izolimin dhe verbërinë e tij. Këtë herë, megjithatë, liria duhet të triumfojë dhe vullneti i popullit duhet ta rrëzojë këtë regjim të hekurt. Teokracia e pareformueshme po bëhet gjithnjë e më hapur si shënjestra e revoltës – dhe përmbysja e saj si i vetmi shpëtim“, nënvizon LE FIGARO nga Parisi.
Gazeta polake GAZETA WYBORCZA bën këtë bilanc: „Një situatë ekonomike e mjerueshme, demonstrues të mllefosur në rrugë, humbja e aleatëve të rëndësishëm në Siri dhe Liban, si dhe një humbje dërrmuese në luftën e fundit kundër Izraelit dhe SHBA-së – regjimi iranian nuk është ndodhur kurrë më parë në një situatë aq të vështirë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se rënia e regjimit është e pashmangshme. Ai disponon ende një shërbim të fuqishëm sekret, Gardën Revolucionare lojale dhe milicinë e paskrupullt Basixh, e cila nuk nguron të vrasë demonstruesit“, vë në dukje GAZETA WYBORCZA nga Varshava.
(Përzgjedhja nga radioja publike gjermane)


