Tallja dhe patologjizimi i dyshimit njerëzor, përfshirë edhe dyshimin mbi shkencën, kanë qenë për dekada metoda kryesore e mekanizmit woke për të ndrydhur mendimin kritik. Jo përmes debatit, jo përmes kundër-argumentit, por përmes turpit, frikës dhe etiketimit.
Kush dyshon, shpallet i paarsimuar. Kush pyet, shpallet i rrezikshëm. Kush kërkon prova, trajtohet si problem mendor, moral apo social. Kjo nuk është mbrojtje e shkencës, por përdorim i saj si autoritet për të mbyllur gojën.
Çfarë duhet kuptuar është se woke-izmi nuk funksionon duke bindur mendjen njerëzore, por duke e intimiduar. Woke-izmi zëvendëson arsyetimin me konsensus të detyruar, mendimin e lirë me bindje dhe dyshimin me faj.
Nuk kërkon të të bindë se ka të drejtë, por të të frikësojë që të mos guxosh të mendosh ndryshe. Ushtarët e woke-izmit binden automatikisht, vetë, kudo që janë. Aq të verbër janë dhe aq shpejt reagojnë, sa mjafton një lajm, një titull, një urdhër moral dhe menjëherë kthehen në turmë ndëshkuese.
Nuk verifikojnë, nuk peshojnë, nuk ndalen. Sulmojnë. Jo sepse kanë analizuar, por sepse janë trajnuar të urrejnë.
Në woke-izëm, mendja nuk lejohet të eksplorojë. Mendja lejohet vetëm të rreshtohet, por kur mendja rreshtohet për një kohë të gjatë, ajo myket.
Dhe ironikisht, pikërisht ata që e kanë mendjen të paralizuar nga frika e përjashtimit e quajnë mendje të mykur këdo që guxon të mendojë dhe të pyesë.
Edhe në Shqipëri kjo u pa qartë. Disa woke-istë shqiptarë vrapojnë të etiketojnë me përbuzje psh “pellazgët”, jo për shkak të ndonjë analize historike serioze, por nga nevoja për t’u ndier pjesë e një elite të vetëshpallur që tallet me këdo që nuk nënshtrohet lehtë.
Si po na shpëton sot SHBA nga woke-izmi?
🔴Pandemia COVID nuk ishte thjesht një krizë shëndetësore. Ajo u shndërrua në një test bindjeje ideologjike.
Në emër të kujdesit, u terrorizuan njerëz. Në emër të shkencës, u ndaluan pyetjet. Në emër të së mirës publike, u shkel e drejta individuale. Çdo zë kritik u shtyp, me linçim moral.
Sot më në fund në ShBA po flitet hapur për rreziqe reale dhe efekte të rënda të lidhura me vaksinat COVID, diçka që për vite me radhë u mohua ose u minimizua, më keq akoma u etiketua si konspiracion.
Sot në SHBA po flitet për dëmtime serioze, për efekte kardiake të dokumentuara, për raste të rënda neurologjike dhe për ngjarje fatale që nuk mund të reduktohen më thjesht në “rastësi statistikore”.
Paralelisht, po rishikohen të dhëna që më herët u hoqën nga qarkullimi publik, studime të tërhequra pa debat të hapur dhe autorë të diskredituar jo për gabime metodologjike, por për “pozicion të gabuar moral”.
Në të njëjtën kohë, po hetohen raste vdekjesh të raportuara pas vaksinimit, tashmë brenda vetë institucioneve.
Fakti që këto hetime zhvillohen sot, ndërkohë që dje konsideroheshin dezinformim, është një akt akuze ndaj mënyrës se si u trajtua e vërteta.
ShBA pritet te vendosë mbi paketimin e vaksinave covid paralajmërimin e nivelit “black box warning”, forma më e fortë e sinjalizimit të rrezikut per jetën në sistemin rregullator amerikan.
Ky nuk është thjesht detaj teknik. Është pranim se ekzistojnë rreziqe serioze, potencialisht fatale për grupe të caktuara, rreziqe që nuk u komunikuan me ndershmëri në momentin kur vendimet u imponuan masivisht.
Pikërisht këtu zbulohet paradoksi më i madh.
Ata që për vite me radhë bërtisnin kundër fashizmit, duke e përdorur fjalën si kërcënim për të heshtur të tjerët, rezultuan të jenë vetë praktikues të një fashizmi që nuk vesh çizme dhe uniforma, por ushqen etiketimet, censurën, frikën sociale dhe uniformizimin e mendimit.
Sot nga SHBA nuk po vjen fundi i këtij mekanizmi, por fillimi i zbulimit të tij.
Ndaj sot SHBA meriton mirënjohje të thellë që po na hap një dritare ku bëhet sërish e mundur diçka thelbësore: e drejta për të dyshuar pa u poshtëruar, për të pyetur pa u ndëshkuar dhe për të menduar pa u frikësuar.
Sepse aty ku dyshimi trajtohet si sëmundje, shoqëria nuk është më e shëndetshme.
E trembur, e nënshtruar dhe e gatshme të bindet për gjithçka, një shoqëri që mëson të heshtë përballë presionit moral, nuk mbrohet më nga rreziku, përkundrazi, përgatitet të pranojë rrezikun e radhës, më të madh, pa pyetje, pa rezistencë, pa dinjitet.


