Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji deklaroi se prania e tij dhe e Ilir Alimehmetit në foltoren e PD-së para Kryeministrisë nuk ka pse të jetë lajm, pasi kanë qenë të pranishëm edhe herë të tjera. I ftuar në studion e Euronews, Salianji u shpreh se ai është aty, ku janë demokratët, pavarësisht formës që ka reagimi i shoqërisë apo i opozitës. Sipas tij, kjo është një protestë që zyrtarisht quhet Foltore, por demokrati thotë se duhet të ketë revoltë dhe jo muzikë.
“Ne jemi në PD, i jemi nënshtruar vendimmarrjeve kolegjiale të partisë. Kjo është një protestë që zyrtarisht quhet Foltore, pavarësisht që unë mendoj se duhet të ketë revoltë dhe jo muzikë. Unë jam aty, ku janë demokratët, pavarësisht formës që ka reagimi i shoqërisë apo i opozitës. Nuk është hera e parë që jam pjesë e protestave, kam qenë në çdo protestë, pavarësisht që askush nga njerëzit më të votuar në PD dhe me kontribut të jashtëzakonshëm nuk ka pasur mundësi të marrë fjalën.
Takimet që po zhvillojmë janë me demokratë. Unë jam në politikë për të përfaqësuar demokratët, dhe nëse edhe një demokrat ndihet i përjashtuar apo i neglizhuar, unë do të jem aty për ta takuar, pavarësisht çfarë mendon linja zyrtare e PD-së. Kam provuar që, marr dhe kosto personale për të mbështetur individët që kanë kontribuar në rrugëtimin tim politik. Ju e patë sa shumë persona ishin në Durrës, ishin gjithë struktura e PD-së së atij qyteti, njerëz që kanë sakrifikuar dhe kanë mbajtur gjallë PD. Do jem aty kudo ku ka njerëz të tillë. Unë mendoj se PD duhet të dëgjojë më shumë sesa të flasë dhe të reflektojë për vendimmarrjet e gabuara,” tha Salianji.


