Shqipëria abstenoi në një votim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara #OKB për të rinovuar mandatin e Agjencisë për Ndihmën e Refugjatëve Palestinezë #UNRWA edhe për tre vite të tjera, ndërsa Izraeli e ka akuzuar atë për bashkëpunim të personelit të saj me terroristët e #Hamas.
Në votimin për të zgjatur mandatin e agjencisë deri në vitin 2029 rezultoi se 151 shtete ishin pro, 10 votuan kundër dhe 14 abstenuan. Fqinji ynë, Maqedonia e Veriut, votoi kundër.
Ndonëse popullësia në Gaza ndodhet në një krizë të rëndë humanitare, Izraeli i ka ndaluar aktivitetet e UNRWA-s në territoret palestineze.
Vitin e shkuar, Parlamenti izraelit #Knesset miratoi ligje që ndalojnë çdo aktivitet të UNRWA-s në #Gaza dhe zona të tjera. Organizatat ndërkombëtare dhe vende të shumta e kanë dënuar ndalimin, duke e konsideruar si shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe një kërcënim të madh për refugjatët palestinezë.



