Nga Ermal Peçi
Dasma e djalit të Jozefina Topallit bëri zhurmë. Jo për muzikën, as për fustanet, por për momentin që zgjodhi të na kujtojë një të vërtetë të hidhur: në Shqipëri, jo të gjithë jetojnë në të njëjtin realitet.
Në një vend ku njerëzit numërojnë monedhat për të blerë bukën e përditshme, ku të rinjtë ikin pa kthim e prindërit presin radhën për tek mjeku publik, një dasmë madhështore e djalit të ish-kryetares së Kuvendit dhe aktualisht deputete e PD-së kthehet në shfaqje. Një festë private, që bëhet befas paradë publike e një klase politike që nuk di të heshtë as kur populli është i lodhur.
Por ta themi që në fillim: Shqiptarët nuk janë kundër dasmave. Ata nuk urrejnë dasmën si koncept, nuk i gëzohen trishtimit të tjetrit, nuk janë ndonjë komb që përplas duart kur dikujt i mungon gëzimi.
Por ata shqetësohen, dhe me të drejtë, kur dasma bëhet simbol i një hipokrizie që nuk ka më kufij. Kur personazhe që flasin për “regjim”, për “krizë”, për “vdekje të demokracisë” bëjnë jetë që vetëm një elitë e mbrojtur nga sistemi mund ta përballojë.
Jozefina Topalli është një emër i njohur i politikës shqiptare. E dikurshme, por kurrë e larguar. Nëpër studio televizive dhe deklarata publike, ajo ka qenë një nga zërat më kritikë ndaj opozitës, por rrallë, për të mos thënë kurrë ndaj qeverisë.
Prej vitesh ajo ka folur për kapjen e shtetit. Ka folur për regjim, por në heshtje është bërë pjesë e komoditeteve që vetëm një regjim i ofron atyre që “dinë të rrinë urtë”.
Dasma e të birit nuk është krim. As mëkat. Është një moment i bukur për një nënë dhe për këtë, Jozefina nuk duhet kryqëzuar. Por kur je figurë publike dhe e ke ndërtuar imazhin mbi denoncimin e padrejtësive, nuk mund të kërkosh mirëkuptim kur ndriçon në zemër të luksit.
Sepse problemi nuk është festa. Problemi është shfaqja.
Ajo që indinjoi qytetarët dhe demokratët nuk ishin gotat e shampanjës, por kontrasti brutal mes fjalëve të predikuara dhe jetës së jetuar.
Jo dasma, por fakti që ajo simbolizoi edhe një herë se në këtë vend, janë po ata që flasin për popullin, por nuk jetojnë asnjë ditë si ai.
Shqiptarët janë të mençur, ata kuptojnë gjithçka. Kuptojnë që sistemi është i mbyllur dhe elitat mbrojnë njëra-tjetrën. Kuptojnë që opozitarizmi i vërtetë nuk bëhet në studio televizive, por me rrezik real, me kosto dhe me distancim të qartë nga privilegjet e pushtetit.
Nuk mund të jesh opozitare vetëm ndaj opozitës. Nuk mund të shpallësh veten të pastër, ndërsa jeton brenda sistemit që e quan të kalbur.
Në një Shqipëri që po ndahet gjithnjë e më shumë mes atyre që festojnë me miliona dhe atyre që llogarisin qindarkat, dasmat VIP janë si pasqyra të rënda, nuk i krijojnë plagët, thjesht i nxjerrin në pah.