Komplot në KLP për votimin e kreut të ri të SPAK. Ndërhynë ndërkombëtarët

spot_img
Advertisements

Gazetarja Anila Hoxha ka hedhur dritë mbi një përplasje të brendshme brenda Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e cila sipas saj u qetësua vetëm pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve.

Në një lidhje direke me emisionin “Breaking” me Fiori Dardhën në Top News, Hoxha tha se gjithçka nisi nga një propozim i anëtarit të KLP, Erind Mërkuri, i cili u dërgoi një email kolegëve ku sugjeronte ndryshime në rregulloren për mënyrën e votimit të kryeprokurorit të SPAK.

Ligji parashikon që kreu i SPAK të zgjidhet me shumicë votash, por Mërkuri kërkoi që kjo shumicë të diskutohej nëse duhet të ishte “e cilësuar” apo jo.

“Ky sugjerim ndezi një debat të brendshëm dhe u mbajt jashtë rendit të ditës në mbledhjen e sotme të KLP-së. Në fakt, nuk u diskutua fare në seancë, çka do të thotë se mbetet në fuqi rregullorja aktuale”, deklaroi gazetarja.

Ajo shtoi se Mërkuri nuk ishte i vetëm, pasi jozyrtarisht flitet se kishte edhe tre mbështetës, mes tyre edhe anëtari i KLP, Vat Staka, i cili ishte pro ndryshimeve. Por presioni i ndërkombëtarëve, sipas Hoxhës, ishte vendimtar.

“Mesazhi i ndërkombëtarëve ka qenë shumë i qartë. Nëse do të ndryshohej mënyra e votimit dhe kërkohej shumicë e cilësuar, procesi do të rrezikonte të hynte në ngërç. Historia ka treguar se si Arben Kraja dhe Altin Dumani e fituan me vështirësi drejtimin e SPAK, madje vetëm me një votë diferencë nga kundërshtarët. Një shumicë e cilësuar do ta bënte pothuajse të pamundur zgjedhjen e kryeprokurorit”, theksoi Hoxha.

Deklarata e plotë e Anila Hoxhës për Top News

“Ajo që shkaktoi një furtunë të brendshme ishte pikërisht sugjerimi i anëtarit të KLP, zotit Erind Mërkuri, i cili u ka dërguar një e-mail anëtarëve, ku sugjeronte që të ndërhyhej në rregulloren për mënyrën se si votohet për zgjedhjen e kryeprokurorit. Ligji thotë që prokurori i SPAK zgjidhet me shumicë votash dhe Mërkuri ka propozuar dhe ka sugjeruar se duhej shtruar për diskutim se sa është kjo shumicë votash dhe nëse duhet apo jo që kjo shumicë konsiderohej, si e cilësuar.

Natyrisht që kjo ka patur një diskutim të brendshëm dhe KLP nuk e diskutoi fare në hapje të rendit të ditës ditën e sotme dhe kjo do të thotë se ngelet në fuqi. Pra, nuk është përfillur, është mbajtur në diskutim të brendshëm sugjerimi i anëtarit të KLP, që duket se kishte edhe tre anëtarë të tjerë me vete, midis tyre thuhej, jo zyrtarisht, se njëri ndër ta ishte edhe anëtar i KLP Vatë Staka që ishte pro ndërhyrjeve në rregulloren për mënyrën se si votohet për kreun e KLP dhe ditën e sotme kjo gjë nuk u diskutua fare që do të thotë me heshtje, KLP ka lënë në fuqi rregulloren e vjetër.

Kjo do të thotë se ka qenë shumë domethënës mesazhet, së pari të ndërkombëtarëve, të cilët kanë qenë shumë të qartë, sepse në rast se do shprehej me numër votash dhe të ndërhyhej në rregulloren për mënyrën se si votohej, natyrisht që procesi kishte gjasa që të hynte në ngërç. Siç ka treguar historia së paku me dy kryeprokurorët, zotin Kraja që ishte kryeprokurori i parë i SPAK edhe zotin Dumani, ata i morën me shumë vështirësi shumicën e votave, pra janë ndarë me një votë me humbësit.

Nëse KLP-ja do ndryshonte rregulloren dhe do të shprehej me shumicën e cilësuar për votimin, natyrisht që do ishte shumë e vështirë që anëtarët, bazuar në historinë dhe në të kaluarën se si është zgjedhur kryeprokurori, të ishte shumë e vështirë që të garantohej shumica e cilësuar. Ligji e ka shumë të qartë që në rast se anëtarët ndahen me balotazh, ai që vendos është pikërisht vota e kreut të KLP-së.

Latest articles

Related articles