Rreth 09.30 të paradites së sotme një 66-vjeçar i punësuar në një kantier ndërtimi në zonën e Kinostudios në Tiranë ka rënë nga lartësia dhe për pasojë ka humbur jetën.
Mediat raportuan se bëhet fjalë për firmën “Andi Construction” dhe se rasti i sotëm është i përsëritur në të njëjtin objekt.
Burime nga komisariati nr.4 bëjnë me dije se punëtori ka rënë nga disa kate lartësi. Për ngjarjen krahas policisë është njoftuar dhe Inspektoriati i Punës për të kryer verifikimet përkatëse, nëse janë respektuar rregullat teknike në kantier.
Bëhet fjalë për një objekt 9 katësh, ku në tre katet e para ka të vendosura skelat. Janë marrë në pyetje edhe përgjegjës të firmës, dhe punonjës ndërtimi, kolegë të 66-vjeçarit.
Për këtë firmë ndërtimi nuk është hera e parë që ndodh një humbje jete. Në muajin maj 2024, një 53-vjeçar ka humbur jetën në të njëjtën godinë dhe pallat, është verifikuar se ka pasur mungesë teknike të marrjes së masave dhe respektimit të rregullave në punë.