SPAK konfirmon zyrtarisht goditjen e grupit kriminal me 14 anëtarë që trafikonte drogë nga Amerika Latine drejt BE-së.
Mes të dyshuarve është Fadil, alias Jul Balla, pronari i “Ajman Resort”.
SPAK urdhëron kontroll të “Klajdi Resort” dhe sekuestron celularin e pronarit Osman Kokoshi.
Anëtarët e grupit kriminal:
Riza Çela
Ardian Çela
Albin Çela
Elvis Çela
(vëllezër)
Fadil, alias Jul Balla – pronari i “Ajman Resort”
Franc Çopja – i arrestuar në Belgjikë
Petrit Sulejmani, alias “Lakatos”
Mariglen Kamami
Denis Daja
Kujtim Gjyla -detyrim paraqitje
Renato Musaka
Vilson Pepa
Dition Pepa – me masë “detyrim paraqitje”
Miklovan Mullai
Gert Çerma
Sipas burimeve zyrtare, hetimet kanë zgjatur prej disa muajsh dhe janë mbështetur në prova të siguruara nga aplikacioni i koduar “Sky ECC”, i cili është përdorur nga anëtarët e grupit për të komunikuar, planifikuar dhe koordinuar dërgesat e drogës.
Prokurori i posaçëm Vladimir Mara ka firmosur një sërë masash sigurie për anëtarët e dyshuar të rrjetit kriminal. Katër prej të dyshuarve u janë komunikuar masat ndërkohë që ndodhen tashmë në paraburgim për vepra të tjera penale. Tre persona të tjerë u arrestuan gjatë mëngjesit të sotëm, ndërsa disa të tjerë vijojnë të jenë në kërkim, me urdhër të gjykatës.
Akuzat që rëndojnë mbi të dyshuarit janë të rënda, duke përfshirë “Trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike” kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprimeve për të mundësuar trafikun e lëndëve narkotike”. SPAK ka bërë me dije se gjatë hetimeve është arritur të dokumentohet mënyra se si grupi siguronte lëndën narkotike, rrugët e transportit dhe destinacionet përfundimtare jashtë Shqipërisë.
Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit dhe me agjenci ligjzbatuese partnere jashtë vendit. Hetuesit theksojnë se ky grup kishte lidhje me rrjete më të gjera kriminale në Europë dhe Amerikën Latine, të përfshira në tregtinë globale të kokainës.
SPAK dhe Policia e Shtetit deklaruan se hetimet do të vijojnë për të identifikuar të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë dhe për të sekuestruar pasuritë e përfituara nga aktiviteti kriminal, me qëllim goditjen e plotë të rrjetit. Ky operacion është cilësuar si një tjetër goditje e rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, duke dëshmuar angazhimin e autoriteteve shqiptare për të bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në këtë fushë.




