nga Pandi Laço
Ne shqiptaret jemi qenie solitare, ose për ta thënë troç e jo shkencërisht, ngjajmë me atë kategori kafshësh që jetojnë më mirë vetëm se në shoqëri. Specie të tilla njihen disa, si psh ariu i murrmë, breshka e detit, ornitoringu, puma e ndoshta kësaj specieje, për nga karakteri grabitqar ne shqiptarët u ngjajmë më shumë. U nisa të bëj këtë krahasim që ndoshta mund të kundërshtohet me shumë argumente, duke marrë shkas nga reagimi i mjaft personave, profileve, nga të gjitha shtresat e profesionet, me shumë shumë të drejtë për ngjarjen e dhunimit të 18-vjeçarit nga një individ (gjithashtu “kafshë e vetmuar”).
Por me keqardhje konstatoj që reagimet në rrjetet sociale a kudo ku ngjarja u bë virale, janë gjithashtu reagime “pumash të vetmuara”. Ne jemi popull që nuk dimë të reagojmë në turmë ose si shoqëri.
- Ne nuk reagojmë kur “kafshë të vetmuara” na presin rrugën në autostradë ose kur po këto qenie të vijnë pas makinës duke të bërë presion me drita e bori, për t’i hapur rrugën.
- Ne nuk reagojmë kur “kafshë të vetmuara” e quajnë plazhin privat , apo pushtojnë detin me motorët e ujit a skafët për të cilët nuk ekzistojnë rregulla qarkullimi.
- Ne nuk reagojmë kur bllokohet qyteti se vikërkan ca personalitete a organizohet një xhiro çiklistike.
- Ne nuk reagojmë kur shohim të grinden e kapen për flokësh gjimnazistë e kalamaj të mburren në makina të shtrenjta e të përdorin fjalorë bullistësh.
- Ne nuk reagojmë kur çmimet e taksat ngrihen.
- Ne nuk reagojmë kur shohim se karburantin me ujë e blemë më shtrenjtë se në vendet e Komunitetit Europian.
- Ne nuk reagojmë kur s’na njohin pronën e trashëguar e na vjedhin si pa të keq të gjithë qeveritë.
- Ne nuk kemi reaguar kur na kane pushtuar trotuarët , hapësirat e gjelbëra i kanë betonizuar, dhe vazhdohet me ritme gjithnje e më galopante drejt pushtimit të qiellit.
- Ne nuk kemi reaguar kur na kanë ndotur ajrin.
- Ne nuk reagojmë kur popullata mpaket e plaket…
- Ne nuk reagojmë kur ….(mund te vazhdoni ju me komentet tuaja se kur nuk reagojmë…)
Po për ta mbyllur e për tua lënë ju vazhdimin…”Ne nuk jemi një kope ujqsh, por veç puma të vetmuara të cilave madje u kanë rënë dhëmbët e nuk janë agresive si dikur)