Ministri Gonxhe jep me qira për piceri e restorant kalanë e Lëkursit dhe Rozafës

spot_img
Advertisements

Vendimi i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të dhënë me qira 20-vjeçare ambiente shërbimi brenda Kalasë së Lëkurësit në Sarandë dhe Kalasë së Rozafës në Shkodër është komentuar me shqetësim nga shoqëria civile, e cila e sheh këtë lëvizje si një tjetër akt të zhbërjes së rolit historik e simbolik të këtyre monumenteve.

Ministria e drejtuar nga Blendi Gonxhja sqaron se procedura e dhënies së pasurisë kulturore në përdorim privat bën pjesë në procesin e “rijetëzimit”, sipas ligjit për trashëgiminë kulturore. Në rastin konkret, bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 862 m² në Kalanë e Lëkurësit dhe 196.2 m² në oborrin e tretë të Kalasë së Rozafës.

Por për Forumin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, ky nuk është rijetëzim, por zhbërje me qira e identitetit historik, në emër të fitimit.

“Kalaja e Lëkurësit, e ndërtuar nga Sulltan Sulejmani mbi rrënojat e një kishe bizantine, është shndërruar në një seri restorantesh, picerisht dhe kafenesh, duke i hequr çdo vlerë kulturore” shkruhet në një status të forumit në Facebook.

Forumi sjell në kujtesë se kontrata e mëparshme me subjektin privat ka përfunduar dhe se objekti duhet t’i rikthehet publikut, jo t’i riciklohet privatit me një formë tjetër koncesioni të kamufluar si “rijetëzim”. Ata e përshkruajnë këtë proces si një “shaka të radhës” nga z. Gonxhja”, duke u shprehur me ironi: “Z. Gonxhe harron se ka përgjegjësi ligjore dhe morale të mbrojë trashëgiminë tonë kulturore dhe jo të promovojë menunë e picave.”

Përmes një deklarate me tone të forta, Forumi ngre pyetjen themelore se përse shteti është i paaftë të administrojë një kala historike vetë dhe se çfarë studimi është bërë për të përcaktuar që dhënia me qira është forma më e mirë në dobi të publikut.

Sipas organizatës, koncepti i rijetëzimit është deformuar qëllimisht: në vend që të nënkuptojë aktivizim kulturor, edukim, ekspozim të trashëgimisë, ai po përkthehet në përfitim komercial, ku prioritet nuk është historia por konsumi

Latest articles

Related articles