Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Anti-korrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, Fatmir Xhafaj, ka dalë sot në një konferencë për mediat në përmbyllje të mandatit të veprimtarisë së këtij komisioni, si dhe për të bërë një bilanc të punës së realizuar deri më tani. I pyetur mbi zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK-ut, Xhafaj tha se magjistratët në këtë strukturë e humbën shansin.
“Se cfarë mendoj unë për këtë gjë është pak a shumë e njohur. Kjo cështje do të duhet të ishte bërë ajo që thash unë, që ata të uleshin në tavolinë dhe të sillnin argumentet pro dhe kundër. Deri sot kam parë një kërkesë por jo argumentet pro dhe kundër. Duhet të ketë një diskutim.
Do të ishte mirë që ky diskutim të bëhej brenda institucioneve të drejtësisë por ata e humbën këtë shans. Nuk e ngritën ata vetë këtë grup pune por kur të vijë cështja që të bëhet komponenti i konsolidimit të reformës në drejtësi jam i bindur që do të jetë një nga cështjet që do të trajtohen dhe do të ketë një vendim. Nuk është ky problemi kryesor që ka sistemi i drejtësisë” tha ai.