Aktori Laert Vasili barti disa deklaratat e forta në emisionin Studio24 në News24, teksa komentoi origjinën e ministrit grek të Mbrojtjes Nikos Dendias dhe historinë e arvanitasve në Greqi.
“Pse ia thua emrin Dendias? E ka Dedja, është nga Vunoi”, u shpreh Vasili gjatë diskutimeve në studio.
Ai tregoi edhe një episod që lidhej me një vizitë mediatike në Korfuz, ku sipas tij ishte intervistuar një avokat me origjinë nga Vunoi.
“Kur kanë vajtur në Korfuz për të marrë një intervistë nga një avokat i famshëm, ishte një që quhej Dedja dhe mbante bustin e Skënderbeut. Ai tha se ishte nga Vunoi dhe se të parët e tij kishin luftuar krah këtij trimi arbëror”, deklaroi Vasili.
Sipas aktorit, edhe vetë Dendias e ka pranuar origjinën e tij nga zona e Himarës.
“Vetë Dendias thotë nga atje ku ai beson se ka origjinën. Himara quhej gjithë zona aty poshtë”, tha ai.
Më tej, Vasili komentoi edhe historinë politike të shtetit grek, duke e cilësuar atë si të ndërtuar mbi ndikimin arvanitas.
“Politika greke është për t’i hequr kapelën, është deep state arvanitas. Ky deep state arvanitas, me fondin e Ali Pashës, me të cilin u krijua banka kombëtare greke, është themeluar me pasurinë e Ali Pashës nga disa arvanitas dhe ata besonin se po bënin Shqipërinë e re ortodokse kundër otomanëve”, deklaroi ai.



