Lejuan shkelje në trajtimin e mbetjeve spitalore, Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim 10 zyrtarë

spot_img
Advertisements

Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim 10 zyrtarë pasi akuzohen se lejuan shkelje në trajtimin e mbetjeve spitalore…

Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq 13 persona, mes të cilëve 10 inspektorë e zyrtarë të institucioneve mjedisore për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’, duke lejuar shkelje në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore.

Hetimi nisi pas një kallëzimi të bërë nga një gazetar investigativ dhe përfshiu analizën e dokumentacionit, verifikime në vendngjarje dhe administrimin e provave materiale e fotografike. Nga hetimi u zbulua një skemë e gjerë bashkëpunimi mes subjekteve private dhe funksionarëve publikë për të siguruar kontrata publike dhe leje mjedisore në mënyrë të paligjshme.

Tre administratorët e kompanive Elvis Miri i “Vale Recycling Shpk”, Elidiana Shehu e “EMC shpk” dhe Laert Shehu i “Swot Shpk” akuzohen për falsifikim dokumentesh, pasi kanë dorëzuar deklarime të rreme për pajisje teknologjike të sterilizimit të mbetjeve të rrezikshme, duke përfituar në mënyrë të padrejtë kontrata publike.

Elvis Miri, administratori i kompanisë Vale Recycling Shpk u arrestua me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, pasi dyshohet se përfitoi mbi 65 milionë lekë tendera për riciklim të mbetjeve spitalore për spitalin e Beratit duke përdorur dokumente false, pa pasur paisje dhe duke sjellë dëme mjedisore.

Vale Recycling është shpallur fituese duke pretenduar se kishte paisjet e nevojshme për riciklimin e mbetejeve spitalore. Prokuroria thotë se kompania fitoi tendera në spitalet e Beratit, maternitetin Koço Gliozheni, Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Spitalin Shefqet Ndroqi. Sipas të dhënave të prokurorisë, fondi limit në tederat ko kompania është shpallur fituese është mbi 65 milion lekë. Në të gjithë këto tendera, sipas prokurorisë kompania ka pretenduar pasjen e paisjes Econos Tsc 150.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq 13 persona, mes të cilëve 10 inspektorë e zyrtarë të institucioneve mjedisore për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’, duke lejuar shkelje në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore. Në kuadër të hetimeve të zgjeruara për çështjen penale nr.1255/2024, e cila u regjistrua pas kallëzimit të gazetarit investigativ S.K., u këqyr i gjithë dokumentacioni zyrtar, u morrën deklarime, si dhe u verifikuan në terren dhe u administruan provat materiale e fotografike.

Hetimi zbuloi një skemë të gjerë falsifikimi dhe shpërdorimi detyre, e cila përfshinte bashkëpunim ndërmjet subjekteve private dhe funksionarëve publikë dhe për rrjedhojë u morrën të pandehur për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve (neni 186/3 i Kodit Penal) shtetasit: E.M., administrator i “V.R Shpk’, E.Sh., administratore e “E.. Shpk”, L.Sh., administrator i “S…. Shpk”. Këta shtetas akuzohen për deklarime të rreme mbi pajisje teknologjike për sterilizimin e mbetjeve, të përdorura për të përfituar kontrata publike dhe leje mjedisore në mungesë të kapaciteteve reale”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, zyrtarët publikë Jorida Shabaku, Edmond Palushi, Arben Marku, Norbert Dacaj, Alba Kurti, Besarta Leka, Ilir Bardhi, Kejdi Ahmetaj, akuzohen për shpërdorim detyre. Sipas Prokurorisë, ata kanë firmosur inspektime formale, kanë pranuar dokumente të falsifikuara dhe nuk kanë verifikuar realisht pajisjet dhe kushtet në terren.

“Gjithashtu, u morën të pandehur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës (neni 248 i K.Penal) dhjetë inspektorë dhe zyrtarë të institucioneve mjedisore: J.Sh., E.P., A.M., N.D., T.P., B.S., A.K., B.L., I.B., dhe K.A..

Ata dyshohen se kanë kryer inspektime formale, kanë pranuar dokumentacion të manipuluar dhe nuk kanë verifikuar kushtet reale të instalimeve në terren. Nga analiza e të dhënave rezultoi se, gjatë periudhës 2017–2022, subjekti “V. R..” ka përfituar mbi 30 tendera, duke përdorur pajisje të pasakta dhe të munguara në vendushtrim te aktivitetit, në kundërshtim me kriteret ligjore për lejet mjedisore të tipit A dhe B. Ky hetim nxori në pah problematika të rënda në zbatimin e standardeve mjedisore, mungesën e kontrolleve efektive dhe bashkëpunimin e dyshimtë ndërmjet interesave privatë dhe autoriteteve mbikëqyrëse. Të gjithë personat e përfshirë gëzojnë prezumimin e pafajësisë, deri në një vendim përfundimtar nga gjykata kompetente”, thuhet më tej në njoftim.

spot_img

Latest articles

Related articles