Ai që ka menduar se koha kur shteti udhëhiqej nga një burrë i vetëm për dekada me radhë ka perënduar, tashmë e ka shumë gabim. Pa asnjë pushtet kontrollues ndaj tij, pa fre, pa litar, pa byzylyk, Kryeministri i Shqipërisë, veçanërisht pas rezultatit zgjedhor të 11 majit, mund të “çmendet”, duke iu larguar dalëngadalë funksioneve të tij.
Me një mazhorancë absolute në Kuvendin e Republikës, Edi Rama përqendron të gjitha kompetencat e administratës publike, gjyqësorit, mediave dhe ekzekutivit, pasi të gjitha këto bashkohen në pushtetin e tij. Ekzekutivi do të jetë tashmë i vetmi organ funksional i shtetit. Kuvendi i Republikës nga shtatori, përveç të tjerash, do të shërbejë edhe si kurth për opozitën. Kjo e fundit, me ligjëratat e saj politike, do të përpiqet të zgjidhë çështje që i takojnë funksionimit të gjykatave, prokurorisë dhe administratës civile, e për pasojë, të gjithë hallkave të tjera shtetërore në përgjithësi.
Në këto kushte, opozita do të bjerë brenda, sepse në Kuvend nuk mund të zgjidhen këto çështje – aty vendos dhuna e kartonit, dhe siç dihet, numrat i ka shumica socialiste, ndoshta edhe më drejtpërdrejt, i ka vetë Edi Rama. E enjtja, kur transmetohen seancat e Kuvendit në televizionet shqiptare, do të mbetet përsëri një ditë hilariteti popullor që mund të tejkalojë çdo skeç, estradë, varietet apo komedi. Imazhi i Republikës mund të degradojë në nivelin më qesharak të historisë, duke u çfunksionalizuar në kuptimin më të plotë të fjalës.
Në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, Partia Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim morën pushtetin. E morën gjithë pushtetin, ashtu siç e kishin ëndërruar. Në fund të numërimit të votave, rezultoi se të majtët së bashku kishin 83 deputetë nga 140 gjithsej që ka Kuvendi. Shumica e cilësuar në Kuvend kërkon 84 vota. Me kaq vota, një lëvizje populiste, si ajo e asaj kohe, mund të bënte gjithçka. Dhe, ashtu bëri. U prishën shtëpitë e njerëzve, u burgosën qytetarë për 38 mijë lekë të vjetra që nuk kishin paguar faturën e energjisë elektrike, u shkuan qytetarëve natën në shtëpi me urdhër shtetëror dhe i nxorën jashtë me gjithë rreckat.
Kuvendi me 84 vota bëhet padron mbi të gjithë dhe mbi gjithçka. Fillimisht nuk i kishin 84, por vetëm 83 deputetë. Atëherë njerëzit komentuan: “Ia hodhëm, shpëtuam nga patronazhi i shumicës së cilësuar.” Por historia vazhdoi. Brenda një dite, një deputet u “ble” nga grupimi më i madh i të majtëve. Ky ishte një person i panjohur, që punonte në një uzinë armatimesh në periferi të Elbasanit. Aplikoi për të hyrë në Kuvend dhe, siç duket, u ndihmua të bëhej një ushtar më shumë. Si ai ushtari që brenda një legjislature ndërroi tre parti, kishte edhe dhjetëra të tjerë si ai. Ata u përdorën për gjithçka: sulmuan deputetë të opozitës, skicuan kanabizimin e vendit, kriminalizuan ekonominë dhe, mbi të gjitha, sollën edhe vulgun në zyrat e shtetit.
Kjo pamje e zymtë e Republikës na tregon një fakt, një ngjarje, një rezultat që nuk është as më shumë e as më pak, por vetë rënia e Kuvendit të Shqipërisë. Diktatura e kartonëve e delegjitimon dhe çfunksionalizon rolin e opozitës në sallën e Kuvendit, duke marrë një rrugë që në rënien e vet mund të rrëzojë njëherë e përgjithmonë në humnerë edhe shansin demokratik të Shqipërisë. Ëndrra që Rama të lëshojë pushtetin, që Kuvendi të jetë vetëm pushtet legjislativ i dalë vërtet nga vota popullore, i bazuar te deputeti si person juridik përgjegjës, dhe jo sikurse është sot, do të mbetet një ndër ëndrrat më të parealizueshme në botë.
Tempulli i demokracisë e ka humbur përfundimisht shenjtërinë e vet.
Pa këtë rol të tij, me një kryeministër që e përdor legjislativin veçse si zyrë noteriale të ekzekutivit, i cili nuk respekton – ashtu siç nuk e ka respektuar kurrë – procedurën e organizimit, do ta shndërrojë Partinë Demokratike, si forca më e madhe e opozitës, në një flamur beteje të grisur, të shkelur me këmbë, të tradhtuar dhe të përbuzur. Por jo vetëm kaq – do t’i bjerë me gurë çdo militant partie i inatosur, çdo qytetar që i ka humbur durimi, çdo individ që ndien se i bëhet padrejtësi, por edhe çdo person që merr adrenalinë nga dhuna ndaj më të pafuqishmit.
Partia Demokratike dhe deputetët e saj në Kuvendin e Republikës, prodhim i listave të mbyllura, aspak përzgjedhje e qytetarëve, do ta kenë krejt të pamundur t’u drejtohen qytetarëve me një retorikë racionale, argumentuese e me fakte, pasi hapësira publike do të kontaminohet nga një retorikë pezhorative, e stisur me qëllim nga kryeministri Rama dhe e përforcuar sa më shumë nga tamburet e tij mediatike. Ekzistenca e tyre në hapësirën publike do të jetë ose sipas kushteve që do të imponojë Edi Rama, ose nuk do të ekzistojë fare.
Çfunksionalizimi i jetës parlamentare nga ana e opozitës mund t’i japë goditjen më të rëndë një regjimi, më shumë se çdo gjë tjetër. Të marrësh pjesë dhe të bësh betejë politike në një Kuvend ku nuk pyetesh – ashtu siç ka ndodhur me qindra herë edhe në vende të tjera në histori – apo të braktisësh lojën politike duke iu kthyer rrugës, kjo nuk është aspak një shaka dhe sjell mbi vete përgjegjësi aq të mëdha, saqë pasojat e këtij akti mund të sjellin kthesa historike aq të paparashikuara, saqë përballja me to mund të bëhet edhe nga vizionarët më të ndritur, edhe nga kokëkrisurit më të papërgjegjshëm.