Nga: Ermal Peçi
Në politikën shqiptare, e vërteta shpesh është viktima e parë. Por kur gënjeshtrat bëhen sistem, pasojat nuk ndihen vetëm në diskursin publik, por në vetë rrënjët e demokracisë. Rasti i Sali Berishës dhe mënyra se si ai ka zgjedhur të manipulojë të vërtetën për “non gratën” është një ilustrim i qartë i kësaj patologjie politike. Këmbëngulja për ta relativizuar, mohuar apo përkthyer si një “medalje nderi” ndihmon vetëm një njeri: Edi Ramën.
Sot jemi në një pikë ku një pjesë e opozitës ka vendosur të mos i besojë Departamentit Amerikan të Shtetit, por një postimi në Facebook nga një gazetar që thotë: “më kanë thënë mua”, pa asnjë provë apo fakt. E ndërsa opinioni shpërqendrohet me këto përralla dixhitale, të njëjtët njerëz po paguajnë miliona dollarë — 6 milionë, sipas dokumenteve publike të lobimit në SHBA — për të tentuar të heqin “non gratën”. Në publik u thuhet se është “e padrejtë”, ndërsa pas perdes bëhen pazare të shtrenjta për të shpëtuar kokën e një njeriu.
Në vend që opozita të përballej me mazhorancën e konsumuar nga skandalet dhe arroganca, është kthyer në një bunker personal për mbijetesën politike të Berishës. Ai e ka shndërruar opozitën në një organizatë ku armiku nuk është qeveria, por SHBA-ja, partnerët ndërkombëtarë dhe çdo demokrat që guxon të kërkojë pastrim, reflektim dhe ringritje.
Në këtë teatër absurd, Berisha ushqen militantët me fabula. Histori që ai vetë i shpik, e më pas i shpërndajnë me zell sejmenët e tij në media, rrjete sociale dhe çdo dalje publike. Çdo përgënjeshtrim përkthehet si “sulm politik”. Çdo kërkesë për reflektim, si “tradhti”. Kështu krijohet një realitet paralel ku të vetmet të vërteta janë ato që thotë Berisha – edhe kur janë haptazi të rreme.
Dhe ndërsa kjo farsë vazhdon, Rama fiton. Ai nuk ka më përballë një opozitë që kërkon reformë dhe drejtësi, por një figurë të konsumuar dhe të izoluar, të cilën e përdor si alibi për të justifikuar dështimet dhe kapjen e shtetit. Çdo herë që diskutohet për korrupsion, loja kthehet te “non grata” e Berishës. Dhe Rama fshin duart: “Shikoni kush më kritikon!”
Ironikisht, Berisha po i jep Ramës legjitimitetin që ai nuk do ta arrinte dot vetë. Duke e mbajtur opozitën peng të interesave personale, duke e ndarë dhe duke e helmuar me gënjeshtra, ai i ka dhënë këtij regjimi kohë, hapësirë dhe qetësi. Kjo nuk është më thjesht një gabim strategjik. Është një tradhti ndaj shpresës së mijëra qytetarëve që kërkojnë ndryshim.
Koha e gënjeshtrave ka mbaruar. Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga një njeri dhe paranojat e tij. Opozita nuk mund të ringrihet mbi fabula, lobime të fshehta dhe sulme ndaj aleatëve strategjikë. E ardhmja ndërtohet vetëm mbi të vërtetën. Dhe e vërteta është e thjeshtë: sa më shumë Berisha të mohojë “non gratën”, aq më shumë zgjat pushteti i Ramës.
Sepse kur opozita nuk është alternativë, pushteti bëhet përjetësi.