Kandidati për deputet i Koalicionit Euroatlantik në qarkun Shkodër, Arben Gjuraj,shprehu angazhimin e tij për një përfaqësim të denjë dhe me përulësi ndaj qytetarëve. Arbeni sjell qetësi, mençuri dhe frymë bashkëpunimi në ekipin e Koalicionit Euro-Atlantik.
Me një përvojë të gjatë në qeverisjen vendore, fillimisht në Dajç dhe më pas në Shkodër, Gjuraj theksoi se njohja nga afër e problemeve reale të komuniteteve dhe sfidave institucionale e kanë bërë atë më të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e ndryshimit.
Sipas tij, Veriu i Shqipërisë – një territor i pasur me burime natyrore, me një popullatë punëtore dhe të kulturuar – është lënë pas dore nga qeverisjet e njëpasnjëshme, duke përshkallëzuar plagët sociale si korrupsioni, varfëria, emigrimi, mungesa e arsimit cilësor dhe shkatërrimi i shpresës. “Është për të ardhur keq që një pasuri e tillë njerëzore dhe natyrore është tradhtuar nga politikat e dështuara”, u shpreh ai.
Në deklaratën e tij, Gjuraj theksoi mbështetjen ndaj reformave në drejtësi, forcimin e institucioneve si SPAK dhe GJKKO, dekriminalizimin e politikës, si dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë me partnerët euroatlantikë. Ai vuri në dukje se mungesa e vizionit dhe përpjekjet për të dobësuar aleancat strategjike janë rrezik për të ardhmen dhe sigurinë kombëtare.
Duke shpjeguar vendimin për t’u angazhuar politikisht, Arben Gjuraj u shpreh:
“Kjo është arsyeja që më bëri t’i bashkohem Koalicionit Euroatlantik si kandidat për deputet, edhe pse do të kisha dashur të mbështesja një të re apo një të ri nga radhët tuaja.”
Në përfundim, Gjuraj u bëri thirrje qytetarëve të Shkodrës dhe të gjithë Veriut të Shqipërisë që të mos dorëzohen përballë padrejtësive dhe të bashkohen në përpjekjen për të rikthyer shpresën dhe dinjitetin në jetën publike.