6 milion euro nga patriotët e ShBA? – Nga Indrit Vokshi

spot_img
Advertisements

Po të kishim pasur patriotë që financojnë miliona euro për Shqipërinë, ata do të kishin financuar djem e vajza të cilët nuk vjedhin, të cilët kanë vetëdije kombëtare dhe, punojnë që Shqipëria të jetë shtet dinjitoz, kryelartë përballë vetes, përballë botës dhe civilizimit. Do të financonin që Shqipëria të kishte shtet që nuk ua nxin jetën shqiptarëve por i përkrah për tu zhvilluar.

Së paku do të kishim një fondacion të fuqishëm i cili zbut varfërinë, ndërton shkolla të mira me stafe profesionale, promovon kulturën, artin dhe promovon njerëzit e talentuar të Shqipërisë – në çdo fushë të jetës.

Mirëpo ska patriotë që të financojnë për këto qëllime. Patriotizmin në Shqipëri nuk e financon askush. Patriotët në Shqipëri janë të varfër sepse askush nga këta “patriotët” që kanë lek, nuk kanë leverdi për ta financuar patriotizmin sepse patriotizmi nuk do i lejonte të vidhnin me shtet.

Njoh unë alamet djemsh e vajzash të cilët me pak përkrahje do të ngriheshin e do të themelonin një brez tjetër politikanësh, një gjeneratë të re kombëtariste. Njoh njerëz të talentuar në shumë fusha por asnjë patriot nuk i ka financuar. Askujt nuk i leverdis t’i financojë. I lënë të merren me hallet e tyre, madje ua shtojnë hallet që ata të mos merren hiç me politikë e me jetë publike.

Sepse problemi i madh i të pasurve shqiptarë është se nuk janë hiç patriotë. Financojnë dhe promovojnë batakçinjt, servilët dhe budallenjt sepse ata i mbajnë kollaj nën kontroll.

Miliona eurot po financohen për të “bindur” Amerikën dhe Shqipërinë se disa milionerë të politikës shqiptare nuk kanë vjedhur apo abuzuar me pushtetin. Për të na bindur se Amerika ka gabuar kur i ka rrethuar në rreth të kuq, për të na bindur se këta milionerë sjanë pasuruar duke përdorur shtetin shqiptar, pa na shpjeguar se si ka mundësi që këta janë kaq të pasur?

Të gjithë e dinë të vërtetën mirëpo këta “patriotët” milionerë po financojnë që me milionat e tyre të prodhojnë një të vërtetë zyrtare krejt tjetër; të prodhojnë të vërtetën e rrejshme.

A quhen patriotë ata që financojnë për të shpërlarë korrupsionin dhe abuzimin me Shqipërinë? Çfarë lloj patriotësh janë këta? Në vend që të financojnë struktura të reja, individë të rinj të cilët kanë dhënë prova patriotike, ose kanë dell patriotik, ata ngrihen finacojnë për makiazh e për t’i hequr njollën një politikani që nuk i shqitet këtij vendi ka 35 vjet dhe, ka mbetur i vetmi në Europë që ka qenë kryetar opozite në 1991, vazhdon kryetar edhe në 2025?

Ata nuk janë patriotë sepse skanë bërë asgjë patriotike. Janë klientë të një tarafi ekonomiko-politik dhe financojnë për tarafin e tyre sepse aty i kanë lidhur interesat. Kaq dhe vetëm kaq.

Do të ishte më e ndershme, burrnisht më e ndershme nëse do të deklaronin: financojmë sepse i kemi aq lek, financojmë sepse ky është tarafi ynë. Askush sdo të habitej, pasi aq lek i kanë, madje aq lek janë shumë pak për një taraf 35 vjeçar. Por nuk e thonë kështu, preferojnë të maskohen me patriotizëm.

Po sikur të themelojë edhe Edi Rama fondacionin e tij patriotik? A do të quheshin patriotë edhe ata të Edi Ramës? Se edhe ata do të pretendonin se duhet të vazhdojë Edi Rama pasi na duhet Shqipëria në BE. Secili i ka gati justifikimet dhe sebepet e veta.

Këta kanë mbledhur aq lek dhe kanë akumuluar aq interesa duke përdorur pushtetin, saqë sot kanë mundësi që ato interesa t’i trafikojnë dhe t’i investojnë për ta riprodhuar pushtetin dhe për ta ridënuar herë pas here Shqipërinë, duke mos e lejuar të ndryshojë, duke mos e lejuar të shkëputet prej kthetrave të këtyre apo t’i heqë këpucët e këtyre nga fyti ku ia kanë ngjeshur e nuk e lejojnë të marrë frymë.

E gjitha kjo në emër të patriotizmit.

Latest articles

Related articles