Nuredin Seçi, njeriu garant për pagesën prej 6 milionë dollarë për kompaninë lobuese për heqjen e non gratës së kreut të PD, Sali Berisha ka reaguar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel.
Ai është shprehur se ndodhet me pushime me familjen dhe nuk mundet të flasë për momentin.
“Ju faleminderit për interesimin por unë këto ditë jam me pushime me familjen larg e jam i pa mundur, për lobimin flet kontrata e ka Departamenti i shtetit e besoj që këtu çdo gja bahet transparente! Ju faleminderit për mirëkuptimin”, ka shkruar ai.
Prokuroria e Posaçme, SPAK ka filluar verifikimin lidhur me kontratën e lobimit të nënshkruar nga shqiptaro-amerikani Nuredin Seci; presidenti i firmës Continental Strategy LLC, Carlo Trujillo, një ish-këshilltar i presidentit amerikan Donald Trump; si dhe nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, në cilësinë e përfituesit – kontratë që ka si qëllim krijimin e marrëdhënieve me aktorët kryesorë në qeverinë dhe kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për këtë lobim, në kontratën e nënshkruar më 4 prill, është përcaktuar të paguhet një tarifë prej 250 mijë dollarë në muaj për një periudhë prej 24 muajsh, që në total përllogaritet në masën prej 6 milionë dollarë.
Sipas kontratës, vlerat monetare do të paguhen nga një fondacion që përfaqësohet nga Nuredin Seci, ndërsa Partia Demokratike e Shqipërisë do të jetë përfituese e shërbimit të lobimit, nuk do të paguajë asgjë.
Pas publikimit të kontratës së lobimit prej 6 milionë dollarësh, PD tha zyrtarisht dje se nuk do ta paguajë vetë partia, por nga fondacioni “Make Albania Great Again”, një organizatë e krijuar nga komuniteti shqiptaro-amerikan. “Komuniteti shqiptaro-amerikan ka marrë përsipër të mbulojë 100% të kostos financiare të kësaj nisme. Partia Demokratike nuk ka asnjë barrë financiare apo detyrim kontraktual në këtë marrëveshje”, tha PD.