Magjari ynë! – ANALIZA

spot_img
Advertisements

Nga Xhodi Hysa

Fitorja e Péter Magyar po trajtohet me të drejtë si një sinjal pozitiv edhe në Shqipëri. Megjithatë, entuziazmi që po shohim te opozita shpesh i ngjan më shumë një euforie sesa një oportuniteti që duhet kuptuar dhe shfrytëzuar me maturi. Rasti hungarez nuk është një histori romantike e “frymës që fiton”, por një leksion i ftohtë për mënyrën si ndërtohet dhe fitohet pushteti.

Viktor Orbán, për shumë shqiptarë i kthyer në kryefjalë vetëm këto javë, është një figurë që ka ndërtuar një sistem pushteti mbi 16 vite. Një sistem që e ka pozicionuar atë si një nga qendrat e gravitetit të konservatorizmit nacionalist në Europë dhe më gjerë. Dobësimi i tij nuk është një episod i thjeshtë elektoral. Është një sinjal se cikli i tij politik po hyn në një fazë të re, por edhe një paralajmërim se strukturat që ai ka ndërtuar nuk zhbëhen brenda natës. Përkundrazi, ato do ta bëjnë shumë të vështirë çdo përpjekje për rikthimin e kontrollit të plotë nga një qeveri e re. Edhe përplasja e tij me Bashkimin Europian nuk ka qenë thjesht një debat mbi standardet demokratike, por një zgjedhje strategjike e orientimit gjeopolitik.

Në këtë kontekst, Péter Magyar nuk duhet parë thjesht si një figurë e re apo si një “profet” i anti-autoritarizmit. Fenomeni i tij është shumë më kompleks. Ai vjen nga brenda rrethit të ngushtë të pushtetit të Fidesz dhe largimi i tij nuk është një akt individual, por reflektim i një zhvendosjeje më të gjerë interesash politike dhe ekonomike. Në thelb, kjo ishte një shkëputje e një pjese të rëndësishme të sistemit nga vetë sistemi.

Kjo shpjegon edhe rezultatin. Fitorja e tij nuk ishte produkt i një elektorati urban të mobilizuar, siç ndodh shpesh në narrativa të thjeshtuara. Përkundrazi, ajo u ndërtua në territorin tradicional të pushtetit, në zonat përtej kryeqytetit, deri në periferi dhe zona rurale. Nuk ishte vetëm “brand-i” i tij që fitoi, por struktura që ai arriti të marrë dhe të rindërtojë mbi bazën e një organizimi të disiplinuar dhe të thellë. Në fund, nuk fitoi emocioni, por organizimi.

Ky është ndoshta mësimi më i rëndësishëm për Shqipërinë. Sepse debati që po zhvillohet sot për sistemin elektoral rrezikon të jetë një shpërqendrim i rrezikshëm. Sistemi, sado i deformuar apo i manipuluar, rrallëherë është faktori vendimtar. Ajo që është vendimtare është aftësia për të ndërtuar strukturë, për të krijuar disiplinë dhe për të operuar në terren më mirë se kundërshtari. Për më tepër, çdo thirrje e pamenduar për ndryshim sistemi në prag zgjedhjesh krijon një avantazh të drejtpërdrejtë për pushtetin, sepse i jep mundësinë atij që kontrollon rregullat t’i rishkruajë ato sipas interesit të vet, shpesh në momentin e fundit. Sot flitet për proporcional rajonal, nesër mund të kalohet në proporcional kombëtar – dhe në çdo rast, ai që është më i përgatitur për këtë ndryshim është ai që ka në dorë levat e pushtetit.

Duhet të kuptojmë edhe një dallim thelbësor: këto demokraci të deformuara, që shpesh përkufizohen si autokraci elektorale, nuk mposhten si diktaturat klasike. Diktaturat fashiste dhe naziste u rrëzuan nga një luftë botërore; sistemi komunist u rrëzua nga dështimi i vet ideologjik dhe ekonomik. Ndërsa këto regjime hibride rrëzohen përmes zgjedhjeve – por vetëm kur përballë tyre ndërtohet një alternativë reale, e organizuar dhe e besueshme. Jo me retorikë revolucionare, jo me simbolikë boshe, por me një makineri politike që funksionon.

Prandaj, në vend që të kërkohet shpëtimi te formula të reja, fokusi duhet të jetë aty ku vendosen realisht zgjedhjet: te organizimi, te struktura dhe te aftësia për të ndërtuar një alternativë që funksionon në çdo nivel. Hungaria nuk tregon se sistemi nuk ka rëndësi; ajo tregon se sistemi fitohet nga ata që dinë ta përdorin më mirë.

spot_img

Latest articles

Related articles