Mjeranët po këndojnë për mua – MORDECAI

spot_img

Mjerimi dhe kriza politike e Shqipërisë shihen tani më qartë se kurrë në folklorin e rremë, që disa poetë e këngëtarë të rremë ua këndojnë disa politikanëve të rremë para syve në tubime politike.

Për turpin e tyre dhe të gjithë shoqërisë tonë, disa manipulatorë të shëmtuar ende ushtrojnë zejen e prodhimit të këngëve politike me porosi, duke i maskuar me elemente folklorike.

Turp akoma më i madh shihet në krahun tjetër, teksa përballë gjoja këngëtarëve qëndrojnë gjoja politikanët, që argëtohen me sajesat e muzikuara që iu kushtohen vet atyre.

Nuk kanë turp që të turpërohen ata politikanë, që e kanë ngrënë turpin me bukë dhe gënjejnë nga mëngjesi në darkë, dhe që kënaqen me këto servilizma inferiore.

Është kjo një histori e shëmtuar që kulmon shëmtinë e vet nga mesi i shekullit të kaluar, kur komunistët morën pushtetin me dhunë dhe lavdëronin me këngë krimet e tyre gjatë dekadave.

Partia Komuniste kishte bejtexhinjtë dhe këngëtarët e vet politikë, që thurnin rima banale dhe ritme pushkatare për çdo vrasje, për çdo akt vetizolimi nga bota e qytetëruar.

Kënga politike në Shqipëri është shumë e lodhur, e shpërdoruar dhe nuk ka asgjë të përbashkët me këngët shumëshekullore për trimat dhe ngjarjet e historisë kombëtare, që rreken t’i imitojnë.

Këngët politike përkëdhelin ndjenjat djallëzore të kryetarit, shprehin nënshtrimin ndaj tij dhe mbajnë gjallë nostalgjitë për diktaturën komuniste.

Shqiptarët e kanë kokën plot me mbeturina të tilla gjoja folklorike, se si Enveri vrau iks armik të brendshëm dhe të jashtëm, se zbuloi dhe shtypi ipsilon tradhtar, e plot marrëzi si këto.

Gjithë defat, dajret e tupanat, klarinetat dhe fizarmonikat, dhe koret e vogla e të mëdha buçitën 45 vjet deri në shurdhim të qytetarëve të ngratë, që vuanin në varfërinë dhe terrorin komunist.

Çfarë rrënimi sot, pas 35 vjetësh nga rënia e diktaturës të dëgjosh se si buçasin këngët mjerane të bejtexhinjve politikë për Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën, njëlloj si në kulmin e diktaturës për kryediktatorin.

Njëlloj si kryediktatori Hoxha i porosiste, i lejonte dhe i duartrokiste këngët politike për atë vet gjatë tubimeve politike, po bëjnë sot edhe disa nga figurat qendrore të politikës.

Krimet prapa këngëve politike dikur dhe korrupsionin prapa koncerteve sot nuk mund t’i mbulojnë dot as qeleshet as qylafët, as isot e as sazet, as daullet as gërnetat.

Shqipëria është një nga vendet që e ka pësuar më rëndë prej diktaturës dhe kultit të individit, dhe e mira është të hiqet dorë prej këtyre mjeteve qesharake të propagandës, që pompojnë lart politikanët e paaftë e djallëzorë, që rrinë gjatë mbi shpinë të popullit, nëse nuk duam që historia e zezë të na përsëritet fije për pe.

Latest articles

Related articles