Prof. TAULANDA JUPI
Çështja e pronës në Shqipëri mbetet një nga sfidat më të mëdha të tranzicionit, e shoqëruar nga konflikte të vazhdueshme ligjore, mungesë transparence dhe zvarritje të reformave për kthimin e pronave dhe kompensimin e pronarëve.
Edhe gjatë 12 viteve, në tre mandate të Edi Ramës si kryeministër çështja e pronave vijoi të mbetej peng i korrupsionit, mungesës së vullnetit politik dhe qëllimeve të tij klienteliste dhe elektorale.
Mijëra qytetarë që kërkojnë të drejtën e tyre legjitime të pronës sorollaten nëpër institucione, gjykata dhe korridore korrupsioni, pa marrë një zgjidhje përfundimtare.
Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) pretendon se ka shqyrtuar 5320 dosje dhe ka përmbyllur kompensimin me një këst të fundit të 30% të çështjeve, shifër kjo e pamjaftueshme duke patur parasysh 12 vite qeverisjes socialiste.
Përtej kësaj, janë ende mijëra dosje të tjera që presin një zgjidhje, të “fshehura” nëpër sirtarë, duke shërbyer si mjet presioni politik dhe elektoral. Kjo vonesë nuk është thjesht paaftësi teknike, por një akt i qëllimshëm për të mbajtur pronarët legjitimë peng të interesave të ngushta të pushtetit.
Qeveria Rama ka premtuar vazhdimisht reformimin dhe zgjidhjen e çështjes së pronave, por e vetmja gjë që ka bërë janë VKM-të të cilat shtyjnë afatet, shtojnë proceduarat dhe asnjëherë nuk japin zgjjdhje të plotë e gjithpërfshirëse të çështjes së pronave, kthimit të tyre apo kompesimit e pronarëve.
Duhet një strategji e qartë që garanton transparencë, drejtësi dhe kompensim të plotë për pronarët, për të mbyllur një herë e mirë këtë kapitull të dhimbshëm për ta dhe familjet e tyre, e për të fshirë këtë njollë të madhe të padrejtësisë në Shqipërinë postkomuniste. Këtë nuk mund ta bëjë as Edi Rama, as ata që për 34 vite nuk e njohën të drejtën legjime të pronarëve duke i emërtuar “ish- pronarë”.