Broja nis stërvitjen me Evertonin, por lajmet nga Anglia nuk janë pozitive për Shqipërinë

Armando Broja ka nisur stërvitjen e lehtë nën vëzhgimin e stafit mjekësor të Evertonit dhe kjo përbën fazën e parë të përgatitjes fizike për kthimin në fushë pas dëmtimit që ka pësuar gjatë verës.

“The Athletic” ka bërë të ditur se sulmues shqiptar ka nisur stërvitjen i monitoruar, teksa ka filluar të shfaqet më rregullisht dhe në stadiumin e Evertonit për ndeshjet e kësaj skuadre, ndonëse gjithmonë si spektator në tribunë.

Të njëjtat burime shpjegojnë se objektivi i klubit është që të jetë në gatishmëri për të luajtur disa minuta në mesin e muajit nëntor, por duke qenë të kujdesshëm që të mos sforcojnë lojtarin. Ndaj ai do të nisë riaktivizimin filimisht me U21, derisa të jetë në formën e plotë për të kaluar te ekipi i parë.

Një lajm i tillë praktikisht bën të pamundur kthimin e Brojës me fanellën kuqezi në nëntorin e këtij viti për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve në Tiranë, ndaj për ta parë atë në radhët e Kombëtares përsëri, duhet pritur viti 2025.

Evertoni nuk ngutet, pasi në kontratën që ka nënshkruar për huazimin nga Çelsi, ka një klauzolë që parashikon se nuk do të paguajë asnjë rrogë të lojtarit derisa ai të jetë në gjendje të për të luajtur dhe këto rroga do të mbulohen nga blutë londinezë.

Në klub kanë kohë që ndjekin Brojën dhe kanë tentuar disa herë të firmosin me të. Kjo është arsyeja pse ata kanë vendosur një klauzolë prej 30 milionë paund në marrëveshjen e huazimit, nëpërmjet të cilës mund të sigurojnë lojtarin në fund të këtij edicioni. Për këtë arsye, ata duan që të shohin Brojën në kushtet më optimale të mundshme fizike para se ta hedhin në fushë, për të kuptuar potencialin e tij të plotë para se të vendosin nëse ia vlen të shpenzohet kjo shifër për të apo jo.

Latest articles

Related articles