Sulmuesi shqiptar përfundon në radarin e Juventusit

Ndonëse nga sezoni kanë mbetur ende disa javë për t’u luajtur, Çezena ka bërë çmenduria në Ligën Pro dhe ka arritur që të sigurojë ngjitjen një kategori më lart, përpara mbylljes së kampionatit.

Dhe çfarë është më e bukura, udhëheqësi dhe lideri absolut i këtij udhëtimi të bukur është një shqiptar, më saktë djaloshi i artë i radhës së dinastisë Shpendi. Nëse në sezonin e kaluar ishte Stiveni ai që bëri hapin gjigant në karrierë, duke kaluar direkt nga Seria C në A, tek Empoli, ndonëse nuk po luan me shumë vazhdimësi, duket se kjo do të jetë vera e Kristianit, i cili ka përfunduar në shënjestrën serioze të Juventusit.

20-vjeçari ka bërë një sezon prej fenomeni dhe për një klubi si torinezët, që janë shumë të kujdesshëm për talentet e mëdhenj në qarkullim, pa dyshim që emri i Kristian Shpendit nuk mund të mungonte, duke parë se deri tani shifrat e ofruar prej tij janë vërtet të çmendura: 21 gola dhe 6 asiste në 30 prezenca në Grupin B të Ligës Pro (kategoria e tretë italiane). Ndonëse kategoria ku Kristian Shpendi luan nuk po themi se është elita, natyrisht që diferencat mes skuadrave janë shumë të vogla dhe normalisht edhe vështirësia është mjaft e madhe. Prandaj, me të tillë numra, Kristian tregon se jo vetëm ka mahnitur dhe është lideri absolut i Çezenës që tashmë duket se po shfaq shenja jete pas falimentit të një dekade më parë, por ajo tashmë ka në përbërje një lojtar si Kristiani që mund të sjellë miliona të rëndësishme për mbijetesën ekonomike të klubit, gjithashtu bardhezi.

Për sa i përket Juventusit, në Torino po e monitorojnë me tepër seriozitet Kristian Shpendin, pasi ai është jo vetëm lojtari që u mungon në mesfushë e sulm, por ai mund të jetë talenti i radhës si Kenan Jildiz me shokë që mund të shtojë bagazhin e cilësisë në fushë. Madje, siç raporton “calciomercato”, deri dy vite më parë të dy vëllezërit Shpendi ndiqeshin nga bardhezinjtë, por mesa duket pritja ka bërë që Kristiani të shpërthejë në momentin që Stiveni po “duket” më pak dhe kjo mund të jetë një lëvizje shumë e bujshme, qoftë për Juventusin, ashtu sikurse për Stiven Shpendin.

Latest articles

Related articles