Muzika klasike dhe pjesëmarrja në operë ishin indicia e parë që piktori Orion Shima mori për të nisur ciklin e punimeve të tij, të cilat tashmë kanë marrë formë dhe që prej datës 1 mars mirëpresin publikun në galerinë “Fab”, pranë Universitetit të Arteve.
“Sigurisht, frymëzimi ka ardhur nëpërmjet shijimit të operës dhe muzikës klasike. Ideja fillestare, spuntoja, nisi nga një simfoni që dëgjova. E trajtova si një mundësi për të përballur këto dy elemente: tingullin dhe ngjyrën,” shprehet piktori.
Një ndërthurje e magjishme ngjyrash, të cilat vallëzojnë me njëra-tjetrën, por të zhveshura nga e përditshmja.
Piktori kërkon t’i largohet metropolit e zhurmës, ndërsa e ka cilësuar këtë cikël punimesh si ekspozitën më ambicioze të karrierës.
“Kam pasur mundësinë të trajtoj figurën e dirigjentit, instrumentistëve, gjithë orkestrën dhe marrëdhëniet e një instrumentisti me tunxhet, veglat. E gjitha kjo më dha mundësinë që ta përktheja tingullin me mjete piktorike,” thotë z. Shima.
Ekspozita “Brio” mirëpret publikun artdashës deri në datën 12 mars.