Drejtori i Burgut të Fushë Krujës, Durim Toska është arrestuar mbrëmjen e djeshme (2 dhjetor 2023). Mësohet se ai është arrestuar pasi dhunoi gruan e tij. Po ashtu policia ka gjetur në banesën e tij edhe armë pa leje.
Arrestimi i tij u mësua 1 orë pasi ministria e Drejtësisë informoi për shkarkimin e Toskës nga posti i Drejtorit të Institucionit të Ekzekutimit të Veprave Penale në Fushë-Krujë.
Sipas një njoftimi nga Ministria e Drejtësisë, Toska është shkarkuar nga ministri i Ulsi Manja, me propozim të drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, për cënimin e kritereve etike e ligjore.
“Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja, ka ndërmarë këtë hap, pas propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke e bazuar vendimin në kritere etike dhe ligjore të cënuara nga z. Durim Toska. Vendimi vjen në përshtatje me objektivat e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për përmirësimin e efikasitetit dhe integritetit në sistemin e drejtësisë”, njofton Ministria e Drejtesise.



