Është vënë në pranga shoferi i makinës që shkaktoi një aksident të rëndë me dy të plagosur ditën e sotme përballë me “RTSH”-në në Tiranë.
Mësohet se në pranga për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” është vënë shoferi Jorgaq Thëngjilli 21-vjeç, i gjobitur edhe më parë për shkelje të ngjashme.
Shkak i aksidentit ishte shpejtësia e madhe në rrugën përgjatë Liceut, duke bërë që të humbasë kontrollin dhe të përplaset me një tabelë buzë rrugës, pranë Ambasadës Britanike e më pas të godasë dy vajza që po kalonin në bulevard.
Një prej vajzave është plagosur më rëndë dhe i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në spitalin e Traumës, ndërsa tjetra ka marrë plagë të shumta, por ndodhet në gjendje më të stabilizuar.



