Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj deputetëve të cilët u përfshin në rrahje në Kuvendin e Kosovës me datë 13.07.2023.
Sipas Prokurorisë, Besin Bislimi, Mërgim Lushtaku e Hajdar Beqa, ngarkohen për veprën “Sulmi”, ndërsa Hajdar Beqa gjithashtu ngarkohet me veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë. Këtu siç duket bëhet fjalë për momentin kur Beqa duket se ia heq nga sytë, syzet ministrit Hekuran Murati.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve B.B., H.B., M.L. dhe B.H., (deputetë të Kuvendit të Kosovës), lidhur me përleshjen fizike të dt. 13.07.2023, gjatë mbajtjes së seancës së rregullt plenare në objektin e Kuvendit të Kosovës.”
Sipas aktakuzës, të pandehurit B.B., M.L., H.B., ngarkohen për veprën penale “Sulmi”, nga neni 184 paragrafi 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri H.B., gjithashtu ngarkohet me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 321 paragrafi 1 të KPRK-së.
Beqa gjithashtu dyshohet për “Lëndim të lehtë trupor”.
“Po ashtu, në këtë çështje penale për të pandehurin B.H., ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të KPRK-së.
Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.” – thuhet në njoftimin e Porkurorisë.
Çka thoshte Konjufca për sjelljen e Bislimit në këtë seancë?
Më 13 korrik, në Kuvendin e Kosovës shpërthyen grushtet mes pushtetit dhe opozitës, pas përplasjeve verbale që erdhën si pasojë e publikimeve të përgjimeve nga Nacionale, ku konfirmohej komunikimi i Mimoza Kusari-Lilës, shefe e grupit parlamentar të VV-së, me Milan Radojiçiqin, i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe i sanksionuar nga ShBA-ja. Për “seancën e grushteve” ka folur sërish Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit. Çka tha Konjufca?
I ftuar në emisionin e gazetarit Fidan Jupolli, Konjufca pati folur edhe për “seancën e grushteve”. Në pikëpamjen e Konjufcës, seanca e 13 korrikut ishte një ditë “vërtetë e pakëndshme”. Ndonëse e akuzoi opozitën për provokime, në fjalën e tij, Konjufca dha një sinjal të “bashkëfajësisë” së të gjithë pjesëmarrëvse.
“Ishte një ditë vërtetë e pakëndshme, me u shpreh më se lehti. Sepse unë mendoj se ka qenë bile shumë e shëmtuar dhe nuk ia dëshirojë më Republikës tonë dhe Kuvendi kurrë një ditë të tillë. Ishte plotësisht e paarsyeshme ajo mësymje e një grupi të deputetëve nga ana e Qeverisë. Mendoj, po ashtu, edhe zëvendëskryeministri ka mujtë me qenë me i qetë dhe mos me ra fare në provokime.” – tha ai fillimisht.
Pas këtyre fjalive, z. Konjufca e shtoi edhe një tjetër fjali simptomatike. Grushtet e Bislimit ndaj deputetëve të opozitës, të cilët po ashtu “shkepën grushte”, i cilësoi si “një far lloj reagimi instiktiv”.
“Këtë e nisi ai grupi që ia mësyu qeverisë. Ajo nuk ka fare nevojë. Po ashtu, Qeveria dhe ministrat nuk ka nevojë. Por, edhe ata e kishin një arsyetim. Arsyetimi ishte që ku mundesh me besu në atë mësymje se do të ketë vetëm ujë. Aty u shpërnda edhe grushta. Kështu që, edhe nga ana e ministrave dhe qeverisë ka mujtë me qenë një far lloj reagimi instiktiv për një lloj vetëmbrojtje.” – vlerësoi tutje ai.



