Protestuesit propozojnë riemërtimin e Lumit Lana në “Lumi Rama”

spot_img
Advertisements

Tiranë – Një grup protestuesish kanë propozuar sot që Lumi i Lanës të riemërtohet simbolikisht në “Lumi Rama”, duke argumentuar se emri i ri pasqyron më mirë gjendjen aktuale të lumit dhe të qeverisjes në vend.

Në deklaratën e tyre, protestuesit kujtojnë se janë etiketuar me terma të ndryshëm, nga “derra” e “sorra” deri te mesazhi i famshëm “fuck you” i dhënë së fundmi në Financial Times.

“Na duket logjike që një lumë i mbushur me ujëra të zeza të mbajë emrin e njeriut që ka drejtuar vendin për më shumë se një dekadë. Në fund të fundit, edhe vetë Rama është kolektori kryesor politik i ujërave të zeza të korrupsionit, arrogancës, propagandës, klientelizmit dhe kapjes së shtetit”, thuhet në deklaratë.

Sipas protestuesve, ndryshimi është i përkohshëm.
“Nuk kemi asgjë kundër emrit Lana. Përkundrazi. Sapo të iki Rama nga qeverisja dhe të rivendoset kolektori në funksion, të pastrohet lumi dhe të marrë fund ndotja kronike, do t’ia kthejmë menjëherë emrin historik. Ashtu siç do t’i kthejmë Shqipërisë institucionet, normalitetin dhe respektin për qytetarët.”

Nisma parashikon që qytetarët, rrjetet sociale dhe mediat ta përdorin emrin “Lumi Rama” si formë proteste simbolike deri në rehabilitimin e plotë të lumit.

Ftohen qytetarët që nga sot, sa herë të kalojnë pranë Lanës, të kujtojnë se problemet nuk rrjedhin vetëm në shtratin e lumit.
“Ujërat e zeza të Tiranës përfundojnë në Lanë. Por kolektori kryesor i Shqipërisë ndodhet në Kryeministri.”

spot_img

Latest articles

Related articles