Një shef i inteligjencës ruse përgjegjës për njësinë që kreu helmimet në Salisbury në vitin 2018, supozohet të marrë përsipër operacionet e Wagner në Afrikë.
Gjeneralmajor Andrey Averyanov, është kreu i Njësisë së Operacioneve të Fshehta në GRU dhe më parë ka qenë i implikuar në kryerjen e atentateve të huaja në emër të Putinit, duke përfshirë sulmin me agjent nervor të vitit 2018 në Salisbury (Britani)
Gjenerali Averyanov u pa duke u prezantuar liderëve afrikanë në Shën Petersburg gjatë samitit Rusi-Afrikë të muajit të kaluar – duke çuar në mendimin se shefi i inteligjencës ruse është përgatitur nga Presidenti Putin për të marrë përsipër aktivitetin e Wagner në Afrikë pas vdekjes së Yevgeny Prigozhin.
Njësia GRU 29155 e zotit Averyanov, e cila kryen operacione në tokë të huaj me urdhër të Putinit, ka qenë e lidhur me vrasje të shumta dhe fushata ndërhyrjeje jashtë vendit, duke përfshirë helmimin e Sergei Skripal (kolonel i FSB) dhe vajzës së tij Yulia.
Komandanti u akuzua se drejtonte një ekip prej gjashtë operativësh që përfshinin Anatoly Chepiga dhe Alexander Mishkin, agjentët përgjegjës për sulmin në Salisbury.
Hetimi zbuloi se zoti Averyanov ka qenë gjithashtu i implikuar në sabotimin e vitit 2014 të një depoje municioni çek që vrau dy persona.
Njësia ishte e lidhur me një tentativë të ngjashme për vrasjen e një tregtari bullgar armësh në vitin 2015 dhe thuhet se ishte përgjegjës për një fushatë destabilizimi në Moldavi. Njësia ishte gjithashtu e implikuar në një komplot të dështuar pro-serb për grusht shteti në Mal të Zi në vitin 2016, i cili përfshinte një përpjekje për të vrarë kryeministrin Milo Gjukanoviç.
Njësia njihet në Rusi si “qendra e trajnimit 161”, pasi shumë spiunë të ardhshëm rusë janë trajnuar nën drejtimin e zotit Averyanov.



