Basha: 14 Maji, data e skadencës përfundimtare e sistemit politik


Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u rikthye në një takim publik me të rinjtë pas më shumë se një viti pasi dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të PD-së.

Basha theksoi se politika ka treguar që riciklon të vjetrën. Sipas Bashës duhet të krijuar një sistem që i jep hapësirë dhe konkurrencë rinisë. Prandaj për këtë arsye u shpreh se 14 Maji, dita e zgjedhjeve vendore, ishte data e skadencës përfundimtare të sistemit politik në Shqipëri që sipas tij u ndërtuar pas ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës. “Ndryshime të bëra në atë kohë nga kryeministri i kohës (Sali Berisha) me kryetarin e opozitës së kohës (Edi Rama), të dy janë akoma në skenën politike të cilët ngushtuan vendimmarrjen në pak duar”, tha Basha.

“Ka kohë që nuk flitet për hallet dhe problemet e njerëzve. Si mundet që rinia e cila është gjaku i shoqërisë, është palca e saj, të angazhohet kur nuk jepet hapësira për t’u angazhuar. Në tërësi politika ka treguar që në vend që të hapë rrugë, pra mos të riciklojë të vjetrën, por të qarkullojë elitat bën të kundërtën, riciklon të vjetrën. Si do të krijohet hapësira për të rinjtë nëse e vjetra riciklohet pa fund? Si do hapet rruga për të rinjtë? Do varet kjo nga vullneti personal i liderit? Është kjo rruga për të zgjidhur gjërat? Apo do të krijojmë një sistem që i jep një hapësirë dhe konkurrencë rinisë.

Unë jam për këtë të fundit. Unë besoj se politika në këtë moment ka humbur çdo të drejtë që t’i kërkojë besim shoqërisë, por duhet t’i japë besim shoqërisë. Duhet t’i japë besim rinisë dhe jo me fjalë, por me akte. Mendoj që 14 Maji është data e skadencës përfundimtare të sistemit politik në Shqipëri. Të sistemit politik të ndërtuar pas ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës. Ndryshime të bëra në atë kohë nga kryeministri i kohës me kryetarin e opozitës së kohës, të dy janë akoma në skenën politike të cilët ngushtuan vendimmarrjen në pak duar. Të cilët pamundësuan që qytetarët shqiptarë të zgjedhin vetë kë duan si deputetë”, u shpreh Basha.

Latest articles

Related articles