Biznesmeni i Allishverishit Gjergj Luca, pronar i kompanisë “Rozafa, ka publikuar një video me një monolog drejtuar kryeministrit Edi Rama, ku ka përmendur kryebashkiakun Erion Veliaj, deputeten Elisa Spiropali dhe Plarent Ndrecën.
Nga Amerika, Luca shprehet se Spiropali u rikthye në “botën e çudirave” pas vendimit për ta lënë atë vetëm një anëtare të thjeshtë të PS. Po ashtu komenton edhe qëndrimet e Veliajt pas transferimit në burgun e Fierit, ndërsa përmend edhe ish-zv kryeministrit Arben Ahmetajt që ndodhet në arrati.
“Eh more vëllai im, 10 ditë në Amerikë, unë e kam humbur fillin… Edhe këtu, nga salla e meditimit, thashë po dal të bëj një bashkëbisedim me ty, more vëlla, se çfarë ndodh këtu i kam gjetur gjërat lëmsh fare… Çfarë ndodh me këtë vend, more burrë, çfarë ndodh në këtë vend… Ore, ajo që ishte në botën e çudirave, që ti e ktheve në realitet, pse na iku, more vëlla? Na kaloi prapë në botën e çudirave. Si ka mundësi, more?…
Po mirë kjo, po ai tjetri, more, që që kur ishte kalamo më ke njohur, e ke dashur fort, më ke bërë dhe mua ta dua fort dhe ta respektoj, po si është puna me këta? Po si u kthye në drejtim të paditur vetëm nga dhimbja e këmbës? Sa theu këmbën, po çfarë ndodh me këta njerëz, more burrë? Po bëj monolog me mbretin… Ore, çfarë ndodh me këta? Ma thuaj si është puna me këta.
Beni, more Beni, po me Benin? Po Beni, ç’pati Beni? Ishte kaq i mirë, i fali kaq shumë dashni në këtë vend, ka qenë burrë i ndershëm që s’e ka ndyrë dorën në asnjë vend, po si ka mundësi që kur ishte afër teje e urrenin, po tani që është larguar e duan që të gjithë? E mori dhe për shembull Benin tonë…”, thotë Luca.
Në fund e mbyll komentin me Plarent Ndrecën, të cilin biznesmeni e quan atë “djalë të mirë”.
“Ndërsa për këtë vëllanë tim të vogël Mirditor kam dalë këtu te kolovajsa, shihe si luan kolovajsa.
Tani dua të të tregoj një gjë, o Edi Rama, se mbase nuk e mban mend. O vëllai im, Leka ishte duke kaluar me karvan, po kalonte me karvan dhe i dalin… i thonë: Kush është? Është filani. Ec, i thotë, s’ka problem se i njoh babën. Kush është filani? Ore, i thotë, këtë nuk e njohim mirë. Bjerini këtej, burra! Edhe ndryshojnë rrugë… Në darkë i thonë Lekës, duke pirë raki: O Lekë, po përse ndërrove ti kur thanë ka dalë filani? Ai tha: Më mirë me thënë se këtu ka dredhu Leka, se me thënë që këtu ka rënë Leka…
Mos e vrit mendjen se Plarentin e kena për së mbari. Mos harro, këtë e kena prapë tonin. Mos u mërzit me të se o djalë i mirë… Amo, të keqen vëllai, mos e ul veten, jepi drejtim se era po fryn për nga Europa. Na ço atje, të keqen vëllai, edhe lëri këta më pas te tallavaja e vet, se i drejton Europa…”, thotë Luca në video.



