I ftuar ditën e sotme në studio me anë të një lidhjeje Skype, ishte Lavdrim Lita drejtor i Faktor.al.
Gjatë bisedës në studio, Lita u shpreh se dështimi i dyshes Meta-Berisha ishte një rezultat i pritshëm, teksa ritheksoi edhe njëherë qëndrimin e tij shprehur më herët në Faxnews se opozita do të merrte më pak se 9 bashki.
“Projekti politik Berisha-Meta dështoi ashtu siç parashikohej edhe nga sondazhet e ndryshme, sepse përkundër asaj që thonë politikanët, sondazhet nuk gënjejnë pasi kampionet janë marrë më së miri. Sondazhet parashikonin kryesimin e socialistëve, por ata e thelluan këtë rezultat. Pushteti ka arritur të fitojë bindësh pasi opozita ka qenë shumë e varfër në ofertën e saj politike. Nuk mund të kemi një ofertë 30-vjeçare në 2023, një gjellë e ftohtë që ringrohet disa herë dhe e japim me kamerierë të ndryshëm. Humbja nuk mund të justifikohet vetëm nga disa faktorë, pasi ka shumë elementë që ndikuan. Kjo do të shihet më vonë edhe në bilancin e humbjes së koalicionit. “, u shpreh Lita.
Më herët, rreth dyshes Berisha- Meta, Lita në Faxnews është shprehur: “Rikthimi i opozitës në institucionet vendore do jetë i dhimbshëm si në Parlament. PD dhe LSI i humbën zgjedhjet në 2021. U rikthyen në kuvend me shumë dhimbje, kështu do ndihet dhe në pushtetin vendor. Në 2015 fitoi PD 21 bashki, nuk mendoj që do jetë një numër njëshifror këto zgjedhje. E shikoj të pamundur opozitën në fushatën elektorale, për shkak të mungesës së bashkimit. Përçarja është e thellë. Shumë kandidatë nuk do votojnë listën e PL dhe anasjellas. Mendoj që janë të papërgatitur.