Lulzim Basha, si alternativë për respiratorin e Berishës!


NGA BATO KOSOVA

Tre ditë përpara mbylljes së fushatës, Sali Berisha, ka nxjerrë kokën dhe ka indentifikuar armikun e tij të përhershëm dhe të vetëm, edhe në kulmin e “luftës kundër regjimit”.

Ai nuk është Edi Rama, as kandidatët që ka klonuar për këto zgjedhje, por sërish dhe përgjithmonë Lulzim Basha.

Ndaj në ditët e fundit të fushatës, ai ka zgjedhur që kohën e çmuar televizive të televizionit të tij familjarë, Syri Tv, ta harxhojë për ti futur ca “mish dhie” situatës katastrofike, ku i ka çuar demokratët dhe opozitën bashkë me Ilir Metajn në këto zgjedhje.

Pasi ashtu siç u kishte premtuar demokratëve e mundi dhe e rrëzoi Edi Ramën, pasi e shpalli Shqipërinë vend sovran nga SHBA dhe perëndimi, Sali Berisha është rikthyer aty ku e nisi një vit e gjysmë më herët.

U shpall non grata për korrupsion madhorë, si minues i demokracisë nga SHBA dhe Britania e Madhe, por fajin ja kishte Lulzim Basha pse ja hoqi këtë barrë, njollë dhe turp Partisë Demokratike, duke e përjashtuar nga grupi parlamentar.

Ka përfunduar vetë së bashku me familjen dhe bashkëpunëtorë të ngushtë në SPAK, por fajin ja ka Lulzim Basha. Bëri aleancë me Ilir Metajn, edhe ky spakist, ua vuri kryetar koalicioni demokratëve, i ka falur vendet fituese në këshillat bashkiakë dhe tani që sondazhet i thonë se do humbasë turpshëm, i kthehet avazit, “fajin ma ka Basha”.

E vërtetë që edhe për këtë zhytje të radhës në 14 maj i duhet një alibi, por një lexhendë si ai mund të kishte pak më shumë kreativitet dhe fantazi për të shpikur ndonjë gjë të re! Kështu “papritur” u lajmërua me bujë se mbrëmjen e kësaj të mërkure te, “Çim Peka Live”, emisioni do ti kushtohet “pazareve” të Bashës me Ballën.

Ajo çfarë kishin sajuar nuk ishte as ndonjë gjë më e saktë se zbulimet e tjera “të rënda” me foto dhe video ku Lulzim Basha ecën rrugëve në Holandë, ha ushqim të shpejtë në ndonjë fast food, viziton ndonjë butik veshjesh, apo kur hipët dhe zbret nga makina! Vetë autori i emisionit, Çim Peka, paralajmëroi për rikthim të çështjes “Toyota Yaris”. Por pas videos ku Basha shfaqej duke hyrë në një pallat ku hyn edhe Balla, “Toyota Yaris” as që u zu në gojë dhe çështja u devijua te vula e PD.

Gjithsesi kujtojmë se Basha është denoncuesi në parlament i kësaj çështje kriminale. Kujtojmë gjithashtu se pas kësaj, Edi Rama dhe Taulant Balla si i implikuar direkt, ngritën një valë të egër sulmesh, akuzash dhe sajesash monstruoze ndaj Lulzim Bashës.

Në atë kohë e mbronte Bashën nga Rama-Balla, por pasi e shpalli armik sepse së bashku me PD-në qëndruan në kohezion me aleatin strategjik të kësaj partie, SHBA, çfarë bëri Berisha?! Mori gjithë akuzat dhe shpifjet e Ramës dhe Ballës ndaj Bashës, i ngriti siç mundet vetëm ai në nivelin më fantazmagorik dhe hodhi baltë papushim.

Atëherë i duheshin sulmet ndaj Bashës duke përdorur akuzat e Ramës, për të ngritur alibinë se rikthimin në krye të PD nuk po e bënte për hallin e tij personal; non grata si i korruptuar dhe minues demokracie. Sot në kulmin e fushatës sërish i duhet një alibi për shkatërrimin që i ka bërë opozitës dhe rezultatin katastrofik që duket se i është vulosur.

I duhet një alibi që të guxojë të dalë nga shtëpia në 14 maj. I duhet mbi të gjitha që të tregojë përpara demokratëve, se përse pas zgjedhjeve, Rama dhe Veliaj po dalin më të fuqishëm me këta “rival” si Berisha dhe Metaj. Dhe ja arritën duke u bërë qesharak me një video në hyrjen e një pallati që e quajnë “takim sekret”. Njësoj si “takimet sekrete” të Sali Berishës me Gramoz Ruçin, kur i pari shkon te shtëpia e djalit të tij Shkëlzenit, i cili banon në një pallat me Ruçin!

Është e vërtetë se që nga koha që u shpall non grata, Sali Berisha, i ka përdorur sulmet ndaj Bashës si alibi, adrenalinë dhe shiringë për trurin e ndjekësve të tij. Por tani në fazën e intubimit sulmet ndaj tij më shumë duken si thirrje ndaj Ramës: Më shumë, më shumë oksigjen…/Alfapress.al

Latest articles

Related articles