Banorët e Bërxullës sërish në protestë, përzënë kandidatin e koalicionit “Berisha-Metaj” Indrit Hoxha

Banorët e Bërxullës kanë dalë sërish në protestë ditën e sotme, si çdo të dielë prej shtatë muajsh. Ata protestojnë për projektin e rrugës Thumanë-Kashar, pasi pretendojnë se pronat e tyre që preken nga autostrada nuk po kompensohen siç duhet dhe se shteti i ka lënë në harresë duke mos i dëgjuar ankesat e tyre.

Janë rreth 200 banorë të Fushë-Prezës dhe Bërxullës, të cilët preken nga shkatërrimi i pronave dhe tokave bujqësore. Një pjesë e këtyre banesave ende janë në proces legalizimi, ndërsa për tokat bujqësore kanë çertifikatë pronësie.

Ditën e sotme në protestë është shfaqur dhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Vorës, Indrit Hoxha, por ai nuk është pranuar nga banorët. Protestuesit thonë se janë në dijeni se ky interesim nga forcat politike të Berishës vjen si pasojë e zgjedhjeve vendore dhe se protesta e tyre është e pa përfaqësuar nga asnjë kah politik.

Nuk duam mbështetje nga kandidatët. Nuk kemi nevojë fare për kryetar bashkie. Nuk e duam duam fare. Mos e filmoni fare edhe ju gazetarët. Na lini në hallet tona.”- tha një banor.

Një tjetër banore u shpreh Indrit Hoxha ka vetëm interesin e votës dhe jo të qytetarëve të Bërxullës.

S’kanë ardhur ndonjëherë këtu që të na vijnë sot. Jeni hajdutë. Nuk na përfaqëson asnjë. Nuk duam as parti as kryebashkiak. Kush vjen për punë partie të ikë nga ka ardhur. Kjo është protestë paqësore. Ai ka hallin e votës, nuk i intereson për ne.”– tha banori.

Ndërsa një banor është shprehur se duhet sqaruar e vërteta se banorët e Bërxullës nuk përfaqësohen nga asnjë forcë politike.

Kandidati i bashkisë Vorë, ka dalë dje me lajme nëpër portale që demek e organizon ai protestën. Dhe kishin paralajmëruar protestë, protestën kemi 7 muaj që e mbajmë vetë dhe e kemi jo politike! Të mbushen portale që organizohet protesta nga kandidatët e Berishës, këtë se pranoj.”- tha ai.

Gjithashtu, banorët kanë shprehur pakënaqësi për qeverinë, ku thanë se kryeministri Edi Rama duhet të ballafaqohet me ta në lidhje me pronën që t’i vlerësohet me çmimin e tregut dhe certifikatën e shpronësimit.

“Në fshatin tonë është bërë një masakër dhe nuk dihet se çfarë do ndodhë, për një muaj mbarojnë zgjedhjet dhe askush nuk do t’ja dijë. Do të ri deri në fund, shteti po të dojë të vijë te ne të ballafaqohet, mos të bëjë sehir. Nuk ia falim”, tha një banore.

“Institucionet e shtetit dhe avokati i popullit duhet të vinin këtu. Nuk na ka mbështetur njeri”, tha ai.

Banorët pretendojnë dhe se një pjesë e tyre janë “shitur” tek qeveria.

“Nuk ka asnjë zhvillim, nuk do t’ja dijë askush. As ata që kanë qenë dhe as ata që do të vijnë. Edhe një muaj do të vijnë zgjedhjet dhe më pas do të harrohet. Një pjesë e banorëve janë shitur. Shteti të vijë tek ne. Kryeministri të mos bëjë sehir atje ku është , nuk ia falim. Nuk ka dallime këtu”, tha një nga banoret.

Latest articles

Related articles