Blendi Klosi, sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, komentoi përjashtimin e Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar.
Sipas tij, kritikat e saj shpërqendronin partinë, ndaj dhe e përjashtuan.
“Vendimi ka të bëjë me vullnetin e forcës sonë politike për të qenë të fokusuar në dy momente shumë të rëndësishme që kemi përpara. Kryesorja është integrimi në BE dhe ky duhet të jetë fokusi i gjithë debatit dhe punës.
Më pas, edhe gara elektorale që kemi pas 5 muajsh. Për një forcë politike të përgjegjshme, e cila kupton se për të realizuar qëllimin e saj më të mirë, atë të shërbesës karshi qytetarëve, për t’ia dalë që të kemi mundësinë t’ju shërbejmë qytetarëve shqiptarë me mënyrën se si ne qeverisim se si administrojmë pushtetin vendor, kemi të gjithë dëshirën ta vazhdojmë ta ofrojmë këtë shërbim, që për mendimin tonë ka qenë i suksesshëm karshi qytetarëve.
Vota e ka dëshmuar këtë. Ne kërkojmë që të jemi të fokusuar te gara dhe vetëm në kuadër të këtij aspekti, Asambleja Kombëtare, bazuar në statutin tonë të brendshëm, forumet më të larta të partisë mundet të shkarkojnë nga pozicionet drejtuese dhe forumet drejtuese të partisë elementë që vetë statuti apo vetë forumi vendos për t’i larguar”, tha Klosi në A2.
“Në këtë kuadër, të dy kolegët nuk janë më pjesë e forumeve drejtuese të Partisë Socialiste dhe vendimmarrja është për publikun. Përsa i përket debatit tonë të brendshëm, ka qenë një debat i cili u zhvillua me dyer të mbyllura, pasi kemi vendosur që të qeverisim Shqipërinë dhe jo t’i afrojmë qytetarëve shqiptarë se çfarë mendojmë ne brenda për njëri-tjetrin. Do të jetë shumë e udhës që të të fokusohemi në këtë aspekt”, shtoi sekretari i Përgjithshëm i PS-së.
Kur u pyet nëse Spiropalit iu dha mundësia që të dëgjohej, Klosi u përgjigj: “Po, padyshim. Një nga folësit me kohë të gjatë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ka qenë Elisa Spiropali”.



