Nëse Ju jeni Pushteti, Ne çfarë jemi?

Nga Admir Malaj, #ZëriIntegrimit

E dëgjon kudo: Kur ta kem Pushtetin unë (apo ne)! Se tani e ke Pushtetin ti (apo ju)! Erdhi në Pushtet filan Parti dhe fistek Burrë Shteti!

 

E dëgjon shpesh në vendin tonë, siç e dëgjon shpesh për vende të tjera që akoma NUK janë demokraci të vërteta.

 

Them kështu sepse NUK dëgjohet ndonjëherë në lajmet për Gjermaninë, Britaninë, Italinë, Francën, jo e jo për SHBA, që filan Parti apo fistek Burrë Shteti të marrë Pushtetin.

 

Atje thuhet që fituan zgjedhjet, që marrin detyrën e gjëra si këto.

 

Këtë gjë ma vuri re një miku im që me të drejtë pyeste i revoltuar: Çfarë është kjo mënyrë shprehjeje? Pastaj nëse dikush hipën në pushtet, po të tjerët, ne (dmth) çfarë jemi? Ne i bie të jemi të nënshtruar?!

 

Kjo mënyrë e gabuar shprehjeje, që qarkullon nga mediat serioze deri te thashethemet e kafesë, duhet të mbarojë!

 

Sa më shumë të përmendim fjalën Pushtet, aq më shumë Partitë do kujtojnë se e zotërojnë me të vërtetë atë.

 

Në fakt, Partitë (vetë)krijohen për të mbështetur ato burra dhe gra që kërkojnë të marrin përgjegjësi për detyrën e administrimit të Pushtetit sipas një ideologjie, me vlera dhe parime të njohura nga Shoqëria.

 

Kujdes, Partitë nuk e zotërojnë Pushtetin! Pasi atë e zotëron e gjithë Shoqëria si e tërë.

 

Prandaj duhet të fillojë gjithnjë e më shumë presioni nga të gjithë që të flitet gjithnjë e më pak për Pushtet dhe gjithnjë e më shumë për Detyrë.

 

Në një Demokraci të vërtetë Partitë kanë Detyra ndaj Shoqërisë dhe jo Pushtet mbi të!

 

Këtë e kemi Ne në dorë (Demokracinë)!

Latest articles

Related articles