Zbardhen detaje të reja nga arrestimet e dy ushtarakëve dhe gardistit në Tiranë, pranë stadiumit “Arena Kombëtare” me një automjet të blinduar tip “Audi”, ku u gjetën armë zjarri.
Paraprakisht dyshohet se drejtues i makinës ishte gardisti Erion Ramaj, ndërsa ‘Audi’ ishte në pronësi të Ilir Shytit, djalit të Roland Shytit.
Në çantën e vendosur në pjesën e pasme të automjetit u gjet një pistoletë, e cila u sekuestrua. Ndërkohë, autoritetet sekuestruan edhe armën e shërbimit të gardistit Erion Ramaj, për të cilën po kryhen verifikime nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Dyshohet se gardisti Ramaj dhe dy ushtarakët, Leonard Murataj dhe Ernest Selmani, shoqëronin Ilir Shytin në momentin kur u ndaluan nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, në automjet u gjet gjithashtu një fenelinë e ngjashme me ato që përdoren nga policia, për të cilën dyshohet se mbahej nga Ilir Shyti.
Katër të arrestuarit, Erion Ramaj, Ilir Shyti, Leonard Murataj dhe Ernest Selmani, akuzohen për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.



