Zbardhen detaje të reja nga hetimi mbi sulmin ndaj Top Channel, ku u qëllua në drejtim të godinës së televizionit, duke mbetur i vrarë roja 61-vjecar, Pal Kola. Hetuesit kanë tre profile të sakta ADN-je si dhe një nga gëzhojat. Edhe në një pjesë të makinës është gjetur një shenjë e plotë gishti që i përket një personi me rrezikshmëri shumë të lartë.
Automjeti i tre të dyshuarve ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë, e nëpërmjet Mëzezit ka hyrë për në rrugën “7 nëntori”. Fillimisht makina Range Rover ka dalë përballë godinës së Top Channel ka vijuar rrugën për tek “Kasem Shima” ka bërë një gjysmë rrotullim dhe është rikthyer sërish për në drejtim të televizionit në orën 12:30 minuta pas mesnate.
Dy prej vrasësve kanë dalë në dritaret e mjetit, njëri prej të cilëve në sediljen e pasme dhe kanë filluar të qëllojnë në drejtim të godinës. Nga të shtënat mbeti i vrarë Pal Kola si dheu dëmtua fasada ballore e godinës së televizionit dhe dy automjete të parkuara në oborr.
Menjëherë pas breshërisë së kallashnikovit autorët u larguan përsëri nëpërmjet rrugës nga e cila mbërritën, për në drejtim të Durrësit, dhe në orën 12:36 pas mesnate janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit.
Në orën 00:55, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e quajtur “Përroi i Agait”.
E pashë kush ma mori makinën ?
Pronari i mjetit tip “Range Rover”, që përdorën autorët e sulmit ndaj Top Channel, në një intervistë për “Shqipëria live”, tregon se pavarësisht këmbënguljes së tij, nuk e zbuloi kurrë se kush ia vodhi makinën.
Ramadan Makolli shprehet se policia nuk ka bërë asgjë dhe nuk janë zbuluar autorët që i morëm makinën nga parkimi i hotelit ku po pushonte në Lezhë.
“Policia ka ardhur ka marrë kamerat dhe i kam thënë të interesohen për shenjat që kanë lënë e gjithashtu për shenjat e gomave, por asnjë veprim nuk e kanë bërë si duhet. Ata djemtë janë shumë specialistë, janë veshur me të bardhë, më duket njëri ka pistoletë se nga kamerat duket që diçka ka në dorë, ndërsa me dorën tjetër hap derën e makinës.
Policia nuk ka bërë asgjë, dhe jam interesuar që çështjen ta hap nga e para. M’u desh të bëja ankimim përmes avokates, që ta hap edhe njëherë nga e para çështjen. Në 30 qershor 2021, u rihap çështja, por nuk janë gjetur autorët”.
Automjeti tip “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, që u përdor në sulmin kriminal, u vodh në korrik 2020, në fshatin Tale të Lezhës. Mjeti u gjet i djegur me dy kallashnikovët e përdorur në krim brenda.
Në orët e para të së hënës, autorët qëlluan me breshëri kallashnikovi në drejtim të godinës së Top Channel, duke lënë të vdekur në vend rojën e sigurisë. Edhe pse kanë kaluar tri ditë nga ngjarja, ende nuk ka asgjë gjurmë nga autorët.