Një ngjarje që mund të kishte përfunduar në një tragjedi është parandaluar në kohë nga Policia e Tiranës, pas një informacioni për një konflikt të planifikuar mes disa të miturve në zonën e Yzberishtit.
Bëhet fjalë për një grup të miturish, të moshave 13 deri në 17 vjeç, të cilët, sipas informacionit të siguruar nga uniformat blu, do të përfshiheshin në një konflikt në rrugën “Besim Alla”. Në një kohë kur situata mund të përshkallëzohej me shpejtësi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë ndërhyrë në zonë, duke identifikuar disa prej të rinjve që, përveçse ishin mbledhur për t’u përplasur, kishin me vete edhe mjete të forta që mund të përdoreshin gjatë konfliktit.
Efektivët kanë sekuestruar dy shkopinj bejsbolli, ndërsa të miturit e konstatuar në vendngjarje janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit. Në vijim të veprimeve të policisë janë identifikuar edhe të miturit e tjerë që dyshohet se do të përfshiheshin në këtë sherr.
Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në praninë e prindërve dhe psikologut, materialet i janë referuar Prokurorisë, ndërsa për 23 të miturit, të moshave nga 13 vjeç deri në 17 vjeç ka nisur procedimi në gjendje të lirë.
“Procedohen penalisht 23 shtetas të moshave 13-17 vjeç, që do të përfshiheshin në konflikt. Sekuestrohen 2 shkopinj bejsbolli. Menjëherë pas sigurimit të informacionit se dhjetëra të mitur do të konfliktoheshin në rrugën “Besim Alla”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë shkuar në zonën e sinjalizuar, për të parandaluar ngjarjen.
Efektivët kanë konstatuar disa të mitur të pajisur me shkopinj bejsbolli, për t’i përdorur gjatë konfliktit. Ata janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit dhe, në vijim, janë identifikuar dhe shoqëruar edhe të miturit e tjerë që do të përfshiheshin në këtë konflikt.
Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në prani të prindërve dhe psikologut, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 23 të mitur. Gjithashtu, janë sekuestruar sendet e forta.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ngjarja vjen si një tjetër sinjal për rrezikun e konflikteve mes të rinjve, të cilat shpesh mund të nisin për motive të dobëta, por që në pak minuta mund të përshkallëzohen dhe të marrin përmasa shumë më të rënda. Për këtë arsye, Policia e Tiranës u bën thirrje prindërve, familjarëve, mësuesve dhe personave të afërt me të miturit që të tregohen të vëmendshëm ndaj çdo shenje konflikti apo përplasjeje mes bashkëmoshatarëve, përfshirë edhe ato që shfaqen në rrjetet sociale dhe hapësirat dixhitale



