Reagon kandidati i PD për Tiranën, Bejko: familja Berisha dhe pagatorët e tij janë shqetësuar nga kandidimi


Nga Roland Bejko

Shikoj se familja Berisha dhe pagatorët e tij janë shqetësuar nga kandidimi im për Tiranën. Kjo më jep kënaqësinë për vendimin e drejt që kam marrë për të kandiduar në emër të Partisë Demokratike që Berisha po kërkon ta zhdukë në skutat e Ilir Metës.
Akuza më e rëndë që kanë gjetur për mua deri tani është se kam një veprimtari publike si opinionist tek një televizion i pavarur në vend, deri ditën që mu besua kandidimi për Tiranën. Akuza është se gazetari që më ka ftuar quhet Sokol Balla.
Përfytyro kolegët e mi të nderuar të majtë a të djathtë në bindje e qëndrime, që dalin tek televizioni i familjes Berisha, se çfarë mund të akuzohen, duke u përdorur i njëjti kriter, nëse identifikohen me akuzat dhe krimet që kanë mbi shpinë pronarët e godinës dhe pronarët e atij televizioni.
Post Scriptum:
Në të gjitha daljet e mia publike prej gati dy vjetësh, në çdo televizion: Top News, ABC News, A1 Raport, Fax news, Euro news, MCN, A2CNN, etj, në çdo intervistë, analizë a debat, qëndrimet e mia kanë qenë dhe janë qartësisht të qarta kundër ortakërisë së trekëndëshit të Bermudës; Rama, Berisha, Meta dhe satelitit Veliaj, pasi në bindjen time, Shqipëria do të ndryshojë rrënjësisht ditën që historia do ti flakë në koshin e vet këta oligarkë të politikës dhe ekonomisë shqiptare që ditën bëjnë sikur zihen, natën ndajnë paratë e tenderave publikë, inceneratorëve, lejeve të ndërtimit, pronave publike, etj, sepse të gjitha rrugët e parasë së tyre, po t’i ndjekësh, përfundojnë aty, tek katër a pesë përdoruesit mëdhenj të parave të tyre që ndërtojnë së bashku blloqet e gradaçelave e pallateve kudo nëpër Tiranë e bregdet.
Unë jam kandidat për Bashkinë e qytetit ku jetoj, sepse nuk jam shpallur “non grata” i akuzuar për korrupsion të qënësishëm, as i akuzuar për mbështetje të trafikantëve dhe grupeve kriminale, as si pengues i demokracisë.
Unë jetoj me punën time.
Por ama, dy pyetje më mundojnë prej kohësh. Ku i gjen paratë Foltorja për shpenzimet financiare maramendëse që bën?! Në cilën bordero paguhen njerëzit e shumtë të të gjitha niveleve të angazhuar te Foltoria?!

Latest articles

Related articles