Nga Sebastian Zonja
Kryeministri Edi Rama i tha homologut britanik Rishi Sunak se ata që kalojnë kanalin e La Manshit me gomone janë njësoj si këngëtarja e famshme Dua Lipa që shkoi si emigrante në Britani dhe tani punon e këndon.
Kjo është sikur t’i thoshte Fidel Castro amerikanëve se me temën e emigracionit kuban ju bëtë një film të bukur me Al Pacinon të titulluar “Scarface”.
Kjo deklaratë i kthehet si boomerang kryeministrit të banalitetit. Nëse një vend nuk siguron mundësinë që talentet e tij të lulëzojnë, problemi është te ai që udhëheq dhe stafi që ka.
Sa turp! 32 vjet pas rrëzimit të shtatores së diktatorit, diktatori i ri mburret se grigja e tij e shqiptarëve që ikin nga sytë këmbët janë bërë të famshëm jashtë vendit.
Në pamundësi për të qenë komik, është kthyer në banal. Na ka bërë gazi i botës me çitjanet e veta.
Me lekët tona shkon dhe bën shfaqje nëpër botë. Paguan Alastair Campbell për të madhështuar figurën e tij, siç bënte dikur Enferri duke paguar Zhoao Amazonat, ndërkohë që brenda vendit instalon, nga dita në ditë, një regjim represiv ndaj qytetarëve, opozitës dhe biznesit të ndershëm.