Drejtori i Përgjithshëm i MCN TV, Endri Meksi, komentoi në studion e lajmeve nismën për krijimin e “Albanian Digital Solution”. Ai tha se duke qenë se përmes saj synohet garantimi i shërbimeve në nivel më të lartë, mirëmbajtja e sistemeve mbetet një faktor kyç. Sipas tij, kjo nismë do të heqë edhe varësinë nga operatorët.
Në këtë moment e lidhim me aferën e AKSHIT. Është një nismë, siç e tha edhe Rama, për të shtruar një rrugë të re në tregun e shërbimeve digjitale. Për të ndryshuar autoritetin e AKSHI-t, për të garantuar shërbime në nivel më të lartë duke qenë se po shkohet drejt varësisë në këto shërbime. Në këtë këndvështrim, mirëmbajtja është një faktor kyç. Indirekt edhe për të hequr varësinë nga operatorët.
Meksi u pyet edhe për rolin e AKSHI-t si autoritet koordinues për inteligjencën artificiale.
AKSHI e ka atë rol që sot. Me një VKM të 2017, ai është institucioni më i lartë shtetëror në këtë drejtim. Si do ta ndajë AKSHI punën me kompaninë e re shtetërore, mbetet për t’u parë. AKSHI ka për të qenë më shumë në rrugën e udhëheqjes. Është një rrugë e gjatë se kjo shoqëri në fund të prillit u krijua.
Lidhur me largimin jashtë vendit të inxhinierëve dhe zhvilluesve të talentuar, ai tha se ADS do ta ketë të pamundur t’i mbajë, duke pasur parasysh ofertat në tregjet e huaja.
Nuk do të mundet. Është sfidë konstante. Herë pas herre do ia dalë. Në një pjesë të rasteve do të dështojë. Nuk shoh ndonjë formulë magjike. Ata talente pa lidhje kushtëzuese në Shqipëri e kanë shumë të lehtë të ikin në Europë. Sa u përket pagave, janë më lart se 3 mijë euro. Janë ca kompani që bëjnë zgjidhje out sourcing që ofrojnë paga edhe më të mëdha. Ajo që mund të ndodhë është se duke qenë se do godasë tregun, edhe shteti si partner do të ketë edhe një kthim. Ky debat është i ri edhe në tregun amerikan. Kështu që në këtë sens mund të kthehen persona të punësuar jashtë.



