Sot mblidhet Kuvendi i Shqipërisë ku në fokus do të jetë një interpelancë me Ministren e Kulturës Elva Margariti.
Gjithashtu sot pritet që të ratifikohet dhe marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për krijimin e task-forcave të përbashkëta në fushën e sigurisë si dhe për delegimin e shërbimeve të trafikut ajror në një pjesë të hapësirës ajrore mbi liqenin e Ohrit.
Në pikën e nëntë të rendit, thuhet se do të diskutohet projektvendimi “Për zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare”.
Pika të tjera janë: Projektvendim “Mbi disa shtesa në vendimin e Kuvendit nr. 11/2011 “Për miratimin e strukturës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri “;Projektvendim” Mbi disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin e Kuvendit nr. 95/2016” Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimin e pagave të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit”; Për një ndryshim në vendimin nr. 69/2021 “Për caktimin e anëtarësisë së Komisioneve të Përhershme të Kuvendit” i ndryshuar.