Me dy takimet e sotme ka përfunduar java e 25-të e Abissnet Superiores. Në “Elbasan Arena”, në mungesë të tifozëve, Tirana ia doli të triumfojë me rezultatin 3-2 ndaj Laçit dhe të rimarrë kreun e vetme, me 43 pikë. Kryeqytetasit bardheblutë lanë pas krahëve dy humbjet radhazi, ndaj Teutës dhe derbin ndaj Partizanit dhe morën një fitore pa shumë sforcim ndaj kurbinasve.
Florent Hasani (6’ dhe 22’) shënoi dy golat e parë, ndërsa Lulaj në të 45-ën çoi shifrat në 3-0. Kurbinasit bardhezinj të Laçit ndryshuan në pjesën e dytë dhe rihapën ndeshjen me Guindo (56’), që ekzekutoi saktë një penallti, ndërsa në shtesë ishte Ujka (90’+4) që shënoi një gol mjaft të bukur, por pa ia dalë të shmangur humbjen 2-3.
Ndërkaq ka përfunduar edhe në ‘Loro Boriçi’ me shifrat 1-1 përballja me Vllaznisë dhe Partizanit, e vlefshme për javën e 25-të të Superiores. Ishin fillimisht të kuqtë ata që kaluan në avantazh me Da Silvën (3’), por pak minuta më vonë Vllaznia barazoi me 11-metërsh.
Bekim Balaj (8’) nuk gaboi nga pika e bardhë, duke vulosur në këtë mënyrë fatin e takimit. Sulmuesi i kombëtares kuqezi, Bekim Balaj, gjeti golin e parë me fanellën e Vllaznisë, që prej rikthimit në Superiore, megjithatë shkodranët nuk ia dalin të rikthehen te fitorja.
Një barazim ky që duket se i shkon më shumë përshtat Tiranës, që pas fitores në ‘Elbasan Arena’, rimer vendin e parë, +2 pikë nga Partizani. ‘Të kuqtë’ e kryeqytetit aktualisht gjenden në të dytët me 41 pikë, ndërsa Vllaznia pozicionohet në vendin e katërt me 37 pikë.