Askush se ka dyshuar që Berisha dhe Rama janë bashkë. Sot më shumë se kurrë kur SPAK nën mbikëqyrjen amerikane, i ka vënë në shënjestër dosjet e korrupsionit të qeverive të Berishës dhe të Ramës.
Paktin ia kujtoj Berishës vetë Edi Rama në seancën e fundit në parlament, kur i përmendi paratë e pista të shtetasit Z, (Zeni siç i thërrasin Shkëlzen Berishës), shtetasin Y dhe shtetasin M.L, (Myftar Lumneshi), emri i të cilit përmendet edhe në “nongratën” britanike të Sali Berishës.
Atë ditë Berisha u largua nga parlamenti, kurse seanca për çështjen McGonigal që pritej “furtunë”, u zhvillua më e qetë se kurrë me parë. Foltorja nuk guxoj ti thotë më asnjë fjalë Ramës. Revolucioni vdiq me vetëm një “Z” të shqiptuar nga kryeministri, kurse Rama vazhdon i qetë qeverisjen e tij.
Pakti u rishfaq në KQZ. Deklarata skandaloze e zëdhënësit të Ramës në KQZ pro Berishës e tregon qartësisht këtë, për këdo që ka sy dhe veshë. Rama i tha Berishës se, unë të njoh ty, vulën s`ta jap dot, por nuk po regjistroj as PD-në.
Kjo është e qartë, sikundër siç e tha Rama në parlament, edhe më i qartë është bashkëpunimi i shtetasit Z, (Shkëlzen Berisha), me Erion Velian në kullat që po ndërtohen në Tiranë.
A ka kush dyshime që dy njerëz të cilët kanë të përbashkët oligarkët, nuk janë bashkë?!
Shihni oligarkët në dasmën e Shkëlzenit, shihni oligarkët që marrin tenderat dhe koncesionet e Ramës, shihni oligarkët që financojnë mediet dhe analistët që sulmojnë 24 orë PD-në zyrtare dhe SHBA… janë të njëjtit.
Edhe Celibashin e kanë bashkë. Kunati i Mediut, (njeriu që lobon brenda dhe jashtë vendit për Sali Berishen), dhe ish ministri i Ramës e tha me zë dhe figurë, se ai njeh Sali Berishën si kryetar.
Kjo shoqëroi edhe vendimmarrjen e tij për të mos regjistruar PD.
Dhe ta mendosh që në Shqipëri për një kohë të gjatë, ministria e Jashtme apo ajo e Brendshme është drejtua nga ministra në detyrë, dhe një parti që nuk shkoka dot në zgjedhje, me një kryetar në detyrë. Qesharake!
Argumenti tjetër: Çfarë ndodh nëse në një afat zgjedhorë, kryetari i një force politike për arsye nga më të ndryshme e ka të pamundur që të firmos? Partia nuk regjistrohet në zgjedhje?!
Ligji ka të gjitha hapësirat e nevojshme, për çdo rast. Por nëse ai lexohet për interesa të Ramës dhe Berishës, çështja nuk ka lidhje me ligjin por me hallin e tyre. Sot më të madh se kurrë.
Edhe këto lojërat politike të Celibashit, përpjekjet e tij për të mos regjistruar PD-në, janë thjesht dhe vetëm në shërbim të Sali Berishës dhe Edi Ramës. Shiringa mbijetese për të dy.
Me Sali Berishën, Edi Rama qeveris i qetë, këtë e tregoj edhe debati për McGonigal në parlament. Ishte seanca më e qetë në historinë e parlamentarizmit shqiptarë, madje ishte thjesht një monolog i Rilindjes. Ndërsa Sali Berisha i bëri shërbimin më të madh Ramës duke e bërë qesharake aferën më të madhe, ku është përfshirë një kryeministër në Europë dhe që është çështja më e nxehtë në SHBA.
Sa për revolucionin, atë pritet që ta vazhdojë Celibashi, pasi në shesh ai u katandis në protestën më të vogël dhe më qesharake që një opozitë, ka zhvilluar në 32 vite demokraci.