Makthi i merituar që do t’i dhurohet Berishës-Ramës dhe Metës – REDAKSIONALE

Që pas vendimit të 3 marsit 2023 njerëzit më të interesuar për të parë Sali Berishën me siglën e PD (Meta dhe Rama) janë trazuar. Shqetësimin e tyre e lexon në çatrafilosjen e njerëzve të afërt të Berishës dhe surrogatëve të tij mediatikë që ulërasin nëpër emisione për putch ndaj demokracisë meqë gjykata i qëndroi ligjit dhe jo egos së tyre.
Dramën, duket se e ka pasuar edhe Ilirian Celibashi që me deklaratën e tij të alteregos shpalosi dhe një herë platformën e dashur të Sali Berishës, Edi Ramës dhe Ilir Metës; një PD nën diktatin e Doktor Nongratës.
Por, nga ana tjetër qëndrimi i Partisë Demokratike është ajo e një force politike dinjitoze që ka shtrirë dorën e mirëkuptimit, bashkimit dhe bashkëpunimit mes palëve për zgjedhjet e 14 majit. Një përpjekje që ka çmendur dhe ka acaruar më shumë Foltoren dhe lëvizjen e saj anti-perëndimore duke e nxjerrë zbuluar përpara një ofertë dinjitoze dhe që tejkalon egot.
Sali Berisha nuk mund të debatojë dhe as negociojë me një palë politike që pasi ka arritur ta hedhë nga froni i uzurpuar në mënyrë të paligjshme nuk shkon të marrë selinë siç bëri ai. Nuk mund të diskutojë dhe të pranojë në bisedë një forcë politike që pas fitore së legjitimitetit i shtrin dorën e mëshirës në vend që të godasë me pamëshirë. Të gjitha janë cilësitë e një pale fitimtare në çdo drejtim duke e shndërruar atë në një humbës që nuk mund të negociojë as krenarinë e tij.
Kjo, e ka tërbuar më së shumti njeriun që mendoi se mund të shkatërronte me pak mund një grup deputetësh dhe qytetarësh që i rezistuan atij dhe sulmeve të tij.
Ndërkohë që për Ramën dhe Metën ekuacioni është më i komplikuar duke qenë se PD ndonëse nuk do të mund të shkëlqejë në zgjedhjet e 14 majit mund të mësojë artin e urtë dhe të mençur të bashkëjetesës ndonëse me botë të ndryshme. Demokratët do të nuhasin dhe do të atashohen përballë një sfide të përbashkët dhe të karikuar mund të prodhojnë një rezultat të mirë jo për 14 majin 2023 por për vitin 2025.
Një PD e bashkuar që avancon me energjitë e një bashkimi mund të mësojë që janë më të fortë të bashkuar dhe se Berisha nuk do jetë përçarësi që i fryn ndarjes së kësaj force. Demokratët që ndjekin pas Berishën do mësojnë që fitorja është e mundur (edhe mbase disa e arrijnë) pa pasur Berishën nëpër këmbë duke kuptuar dhe besuar tek forca e një partie politike që e tejkalon Berishën dhe aureolën e tij.
Kjo, nuk do t’i pëlqente Ilir Metës që mendon të zgjerojë partinë e tij të Lirisë me njerëzit e Berishës dhe kandidatët e tij. Nuk do t’i pëlqente as Edi Ramës që do të duhej të fusë në llogari një forcë politike që nuk ka më as hijen e Berishës dhe as nuk vuan nga kompleksi i liderit historik. Të gjitha këto do ia vështirësonin punën të tre aktorëve të kësaj përralle të keqe ku PD-ja ka rënë në çark.
Ftesat e Alibeaj, Bardhit, Sulës e të tjerëve janë përpjekja e ndershme e një force politike që kërkon të bashkohet pas një lufte një vjeçare. Tanimë, përgjigja u përket demokratëve dhe sidomos atyre të bashkive dhe zonave që duhet të rivendosin nderin e PD në vend duke mos pranuar të kandidojnë për një logo tjetër përpos logos së PD ku dhe demokratët i kanë zgjedhur. Kjo do qe dhurata më e ndershme dhe njerëzore që ata do t’i ofronin Shqipërisë dhe makthi i merituar që do t’i dhurojnë Berishës-Ramës dhe Metës.

Latest articles

Related articles