Diabeti verbon 1 mijë persona, shqetësuese shifra në Shqipëri

Diabeti mund të bëhet shkak për verbëri apo gjymtim.

Të dhënat e fundit flasin për 86 mijë diabetikë në Shqipëri, 1000 prej të cilëve e kanë humbur shikimin, ndërsa 42 persona kanë humbur njërën nga këmbët.

“Vlerësojmë se duhet të jenë të paktën 3O mijë persona që kanë hapat e para retinopati diabetike pavarësisht se shumica nuk e dinë. Duhet të jenë 5 mijë deri në 10 mijë që kanë shqetësime të shikimit si pasojë e retinopatisë dhe vlerësojmë rreth 1 mijë të kenë dëmtime të rënda deri në verbim,” – tha Alban Ylli, specialist i ISHP-së.

Diabeti renditet ndër sëmundjet më të kushtueshme.

“Për 5 vitet e fundit diabeti është sëmundja më e kushtueshme për fondin, është sëmundja që konsumon më shumë buxhet sesa hipertensioni,” – tregoi Florion Toti, kryetar i Shoqatës së Personave me Diabet.

Skemat e mjekimit dhe trajtimi në formën e duhur ka bërë që përmirësimi i nivelit të hemoglobinës së glukozuar të shpëtojë jetë.

“Ne mund të parandalojmë me 37% komplikacionet mikrovaskulare. Mund të shpëtojmë 14% me pak infarkt miokardi dhe mund të ulim vdekjet me 21%,” – tha mjeku Florion Toti.

Për ekspertët e shëndetësisë botërore diabeti është një sëmundje me rëndësi të veçantë dhe rekomandimet për Shqipërinë janë hartimi i strategjisë.

“Ekzistojnë strategji për të parandaluar verbërinë, depistimi është një nga këto mënyra, rekomandojmë çdo vend të hartojë strategjitë,” – u shpreh Gazmend Bejtja, oficer i Shëndetit Publik i OBSH-së në Shqipëri.

Si pasojë e ndërlikimeve nga diabeti, në Shqipëri përgjatë vitit 2022, 42 persona kanë përfunduar duke prerë gjymtyrët.

Latest articles

Related articles