Kompania “EURO – BETON 2005”, e njohur gjerësisht në Tiranë për prodhimin e betonit dhe përfshirjen në ndërtimin e kullave të banimit dhe shërbimeve, është sekuestruar me një vendim të Gjykatës së Tiranës.
Vendimi është marrë një javë më parë, më datë 23 Prill 2026, dhe sipas tij, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit dokumentacionin për caktimin e masës së sekuestros preventive të personit juridik “EURO-BETON 2005” sh.p.k me Nuis/Nipt K51410004T.
Referuar vendimit, kompania në pronësi të ortakëve Arjan Ormenaj, Bujar Gazheli dhe Pietro Telesca është hetuar për veprat penale të “Mashtrimit”,“Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.
Prokuroria e Tiranës nisi një hetim disamujor për aktivitetin e dyshuar kriminal të kompanisë Euro Beton 2005 pas sinjalizimit nga organet ligjzbatuese shqiptare dhe partnere.
Hetimi ka zbuluar pastrimin e dhjetëra milionë eurove, një skemë disavjeçare mashtrimi, evazion fiskal etj., vepra penale të kryera nga një grup i dyshuar kriminal. Edhe pse pronarët e kompanisë rezultojnë mbulesë e parave të grupeve të rrezikshme kriminale, SPAK është mbajtur larg kësaj dosje.
Ortakët shqiptarë janë Arjan Ormenaj dhe Bujar Gazheli, ky i fundit përfitues i dhjetëra milionë euro para publike në shëndetësi, përmes kompanisë kompaninë Albanian Medical Distributor (AMD), derivat i një kompanie të dyshimtë italiane.
Ndërkaq, Arjan Ormenaj është skeduar si personazhi kyç që pastron paratë grupit kriminal Çopja, i goditur nga SPAK. Nga verifikimet rezulton se kompanitë ‘Elba Beton” dhe “Elba Import”, të themeluara nga anëtari i grupit kriminal Çopja, Arben Lamçja alias Dobrova, rezultojnë se kanë kaluar në emrin e biznesmenit Arjan Ormenaj.



